Vitin e kaluar, 188 fëmijë u dërguan jashtë vendit për trajtim shëndetësor
Vendeve evropiane për trajtim shëndetësor çdo vit ia mësyjnë shumë pacientë. Në mesin e tyre janë edhe shumë fëmijë.
Vetëm me referencë të Klinikës së Pediatrisë në QKUK, vitin e kaluar 188 fëmijë u dërguan urgjentisht për trajtim jashtë vendit.
Por, drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, Violeta Grajçevci Uka thotë se hapja e klinikës së re dhe aparaturës së saj do ta ulë numrin e pacientëve që do të shkojnë jashtë vendit për trajtim.
"Tash me hapjen e klinikës së re besoj që në të ardhmen numri i rasteve që kërkojnë trajtim jashtë Kosovës besoj që do të zvoglohet, duke marrë parasysh edhe aparaturën që do të jetë në funksion në të ardhmen ose do të kërkohet aparaturë tjetër shtesë që do ta mundësonte intervenimin e këtyre fëmijëve me këto probleme, dhe normalisht edhe trajnimi i stafit që është mjaft i rëndësishëm që në të ardhmen ne mendojmë që të planifikojmë të trajnojmë stafin i cili ka me u marr me këto probleme tëzemrës por edhe me shërbime tjera", thotë Violeta Grajçevci Uka, drejtoreshë e Pediatrisë.
Por jo vetëm Pediatria e QKUK-së referon pacientë për shërim jashtë vendit. Me këto raste tash e disa vite po merret edhe Mazllum Belegu nga organizata "Gift of Life Kosova", sipas të cilit, së shpejti në Kosovë do të vijë një ekip kardiologësh e kardiokirurgësh amerikanë e italianë për të kryer operacione.
"Në maj do të vijnë ata 30 fëmijë planifikohen, munden me qenë një ose dy më pak kur ka ndonjë komplikim ose merr kohën më shumë, por sido që të jetë kjo nuk do të ndalet derisa nuk e bojmë ne ekipën tonë", tha Belegu.
Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për RTK-në se me funksionalizimin e Spitalit kirurgjik pediatrik në Kosovë do të shtohen disa shërbime më të integruara dhe numri i rasteve që kërkojnë trajtim jashtë vendit do të reduktohet.
Sëmundjet më të shpeshta që prekin fëmijët që detyrohen të kërkojnë trajtim jashtë vendit janë patologjitë, sëmundjet malinje, transplanti i palcës kockore, sëmundjet e zemrës e të tjera. Objekti i ri i Klinikës së Pediatrisë pritet që të fillojë punën në fund të marsit.























