Personat me ‘Down Sindrom’ ende me telashe të ndryshme
BKT
Lajme

Personat me ‘Down Sindrom’ ende me telashe të ndryshme

Pajtim Çuni, Radio Kosova

Ndonëse ka përmirësime, 21 marsi, Dita Ndërkombëtare e Personave me Down Sindromë, e gjen këtë kategori të shoqërisë me telashe të ndryshme.

Në Shoqatën “Down Sindrom Kosova”, thonë se sfidat me të cilat përballen këta persona janë të shumta e që ndërlidhen me edukimin, shëndetin dhe mirëqenien e tyre.

Aldi Hoxha nga Gjakova, prej disa vitesh jeton dhe punon në Prishtinë. Nga mbi 980 persona me Down Sindromë, sa janë të regjistruar në Shoqatën “Dovn Sindrom Kosova”, aktualisht, Aldi është personi i pare dhe i vetëm i punësuar në sektorin publik. Ai tregon për Radio Kosovën për punën që bënë në Ndërmarrjen Publike “Trafiku Urban”.

 “Unë po kënaqem shumë në punë. Nuk e kam vështirë të punoj. Punoj që nga viti 2019 këtu në “Trafikun Urban”. Punoj me kompjuter. Kam një listë ku shënoj të gjithë mysafirët. Fillimisht ia marr letërnjoftimin. Pastaj e shënoj emrin, mbiemrin, orën e hyrjes e të daljes dhe datën. Kënaqem edhe me kolegë.”, tha ai.

Në portën hyrëse të “Trafikut Urban” punon edhe Granit Rexhepi, i cili ka vetëm fjalë të mira për personalitetin dhe punën e Aldit.

 “Aldi punën e bënë me shumë vullnet e dashuri. Është shumë I përkushtuar në punë. Jam i lumtur që Aldin e kam koleg. Unë u bëjë thirrje institucioneve publike dhe atyre private që të marrin në punë më shumë persona me sindromën dovn”, tha Rexhepi.

Drejtoresha e Shoqatës “Down Sindrom Kosova”, Sebahate Beqiri, shprehet e pa kënaqur me punësimin e personave me dovn sindromë në institucione publike, ndonëse thotë se ka mjaft të përgatitur për punë.

 “Trafiku Urban” është i vetmi institucion publik që ka punësuar një person me sindromën down. Në bazë të statistikave që ne kemi, janë rreth 20 të punësuar me sindromën dovn. Vetëm një është në sektorin publik, të tjerët janë në institucione private”, tha ajo. Sfidat e personave me dovn sindromë janë të shumta, por sfidë kryesore është arsimimi, pohon zonja Beqiri.

 “Si pasojë e mungesës së resurseve brenda shkollave, ne ende kemi një numër të madh të asistenteve private, që paguhen nga prindërit, me qëllim që mësimënxënia e fëmijëve të jetë më e lehtë.”, tha Beqiri.

21 Marsi - Dita Ndërkombëtare e Personave me Sindromën Down, është caktuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, më 19 dhjetor 2011.


MË SHUME NGA Lajme