Arrestohet pronari i një barnatoreje në Prishtinë
Policia e Kosovës sot ka arrestuar personin me iniciale A. V., pronar i një barnatoreje, i cili ka shitur produkte medicinale të dyshuara si të kontrabanduara, duke iu vendosur banderola të Kosovës kinse ato janë të rregullta.
Sipas komunikatës, bëhet fjalë për barna pa banderola të Kosovës, me banderola të shteteve tjera, si dhe me banderola të falsifikuara me qëllim të vënies në lajthitje të pacientëve.
Policia ka thënë se i dyshuari ka arritur që të përfitojë materialisht në aspektin personal dhe njëkohësisht e ka rrezikuar shëndetin e përgjithshëm.
“Hetuesit policorë, pas ndërmarrjes së veprime të nevojshme hetimore dhe operative kanë siguruar dëshmi tjera relevante lidhur me rastin. Pas përfundimit të kontrollit të barnatores nga inspektorët farmaceutik, është siguruar prezenca e personit të dyshuar i cili është shoqëruar në polici, i njëjti është intervistuar në cilësinë e personit të dyshuar dhe mbi bazën e këtyre dëshmive është krijuar dyshimi se më këto veprime i dyshuari (A.V.) ka kryer veprën penale ‘Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’”, thuhet në njoftim.























