Muhaxhiri: Qeveria të sqarojë se cili model i zgjedhjeve mund të pranohet
Bashkimi Evropian ka njoftuar sot se Kosova ka refuzuar një propozim të shteteve të QUINIT-it lidhur me modalitetet për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare serbe në Kosovë më 3 prill. Për këtë në emisionin “Imazhi i ditës”, flet analisti Artan Muhaxhiri.
“Zgjedhjet serbe në Kosovë janë gjithnjë sfidë, sepse kjo lidhet me pozitën në të cilën gjendet Kosova. Ky problem do të na përcjell edhe këtë vit”, tha ai.
Sipas tij, Qeveria me mospranimin e mbajtjeve të zgjedhjeve po kërkon diçka normale, por në kushte jonormale, me qenë se Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, dhe se Kosova ka shtetësinë e papërfunduar, kjo u pa edhe sot në reagimet e BE-së.
“Kryeministri Kurti duhet të dal e të sqarojë se cili model i zgjedhjeve të Serbisë mund të jetë i pranueshëm në Kosovë, qeveria nuk guxon të hesht dhe në këtë mënyrë të jetë e stigmatizuar”, thotë Muhaxhiri.
Sipas tij, qeveria e Kosovës po pret kërkesë nga Serbia për mbajtjen e zgjedhjeve, por Beogradi ka shumë hipokrizi ndaj Kosovës. Zgjedhjet serbe në Kosovë, shton Muhaxhiri, më shumë janë një simbolik, se që ndikojnë në zgjedhjet përfundimtare atje.
Muhaxhiri foli edhe për punën një vjeçare të Qeverisë Kurti. Ai thotë se nuk ka pas skandale të mëdha, por as të arritura të mëdha, ka mundur të bëhet më shumë./N.M./























