Sasha Polovynska këngëtare ukrainase, refugjate në Serbi
BKT
Kulturë

Sasha Polovynska këngëtare ukrainase, refugjate në Serbi

Jeton Musliu

Lufta në Ukrainë ka bërë që shumë artistë të këtij vendi, kudo që janë, të mundohen të sensibilizojnë opinionin për tragjedinë që po ndodhë në këtë shtet, si pasojë e agresionit rus. Një gjë të tillë po e bën edhe Sasha Pollovinksa e cila tashmë bashkë me 2 mijë bashkëkombës të saj është refugjate në Serbi.

Refugjatët nga Ukraina në qendër të Beogradit po bëjnë thirrje për paqe. Mes tyre është edhe Sasha Pollovinska, një këngëtare e re nga Kievi, e cila së fundmi ka mbajtur një koncert në Beograd. Performanca e saj ishte paralajmëruar para luftës, duke bërë që ajo ta mendonte anulimin e koncertit. Megjithatë, me insistimin e familjes së saj, që ajo të jetë në vendin e sigurt, Sasha erdhi në Serbi në ditët e para të luftës.

“Situata është shumë e vështirë në Ukrainë, gjëra të tmerrshme po ndodhin, fëmijët po vdesin, vendbanimet, qytetet po bombardohen, njerëzit po kalojnë në ferr. Miqtë e mi janë në strehimore, ushtarët rusë qëllojnë mbi civilët. Dhuna duhet të ndalet” tha ajo.

Koncerti i saj ishte për qëllime humanitare për atdheun e saj. Prindërit e Sashës janë në Kiev dhe jetojnë duke lënë vazhdimisht banesën për t’u strehuar. Janë më shumë se dy mijë refugjatë nga Ukraina që kanë mbërritur tashmë në Serbi duke pritur përfundimin e luftës. Kjo vajzë e re ukrainase me emrin artistik Bad Sasha, është optimiste se arsyeja do të mbizotërojë.

“Dua të jem ukrainase, kjo ndjenjë tani po zgjohet në mua. Unë kam qenë një person tjetër,nuk kam qenë aq aktiviste. Tani është ndryshe, i gjithë kombi është i bashkuar dhe e gjithë bota është kundër asaj dhune. Ne do ta ndërtojmë përsëri vendin tone i cili do të jetë edhe më i mirë, i lirë dhe i lumtur” ka thënë Polovynska.

Sasha dëshiron të kthehet në shtëpi dhe nuk e sheh veten si refugjate. Por derisa të përfundojë lufta, ajo do të vazhdojë të ndihmojë vendin dhe popullin e saj duke përdorur aftësinë e saj më të mirë e që është muzika.

Përgatiti Shqipe Gashi


MË SHUME NGA Kulturë