Lajçak: Kurti dhe Vuçiq do të takohen kur të pajtohen për diçka
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, tha për Radion Evropa e Lirë se për takimin e tretë midis liderëve të Kosovës dhe Serbisë, duhet atmosferë konstruktive dhe paqësore.
Ai tha se procesi i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë nuk ka ngecur, por “po zhvillohet kryesisht në nivelin e kryenegociatorëve”. Sipas tij, takimet e kryenegociatroëve po bëhen për të përgatitur takimin e tretë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Megjithatë, sipas Lajçak, një takim Kurti-Vuçiq mund të ndodhë vetëm kur dy liderët mund të pajtohen për diçka.
Lajçak tha se dialogu është platforma e vetme ku Kosova dhe Serbia trajtohen si të barabarta.
Në këtë intervistë ai foli edhe për refuzimin e propozimit të Quint-it nga Qeveria e Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë, por edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Jo, nuk po e vendos procesin në akull – të paktën kështu shpresoj. Por, sigurisht, ne kemi qenë të përfshirë në përpjekjet për të lehtësuar një marrëveshje për zgjedhjet, sepse çfarëdo vendimi që do të merrej, do të kishte ndikim në situatën në terren. Për mua, si ndërmjetësues [i dialogut], është jashtëzakonisht e rëndësishme që atmosfera të mbetet konstruktive, në mënyrë që ne t’i vazhdojmë takimet tona dhe të kemi dy palë të gatshme për të rënë dakord për gjërat”.
“Pra, ka pasur një përpjekje – të udhëhequr nga Quint-i dhe me përfshirje aktive të Bashkimit Evropian për gati dy muaj – për të gjetur një formulë që do t’i akomodonte ndjeshmëritë e të dyja palëve. Por, në fund, propozimi i Quint-it nuk është pranuar nga Qeveria e Kosovës. Pra, nuk ka marrëveshje dhe nuk do të ketë zgjedhje [serbe] në territorin e Kosovës”, tha Lajçak për REL
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, tutje ka thënë se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është platforma e vetme ku Kosova dhe Serbia janë të barabarta. "Aty nuk ka flamuj. Atyre u referohemi si Kosova dhe Serbia, apo Prishtina dhe Beogradi. Ato kanë të drejta krejtësisht të barabarta. I quajmë palë në dialog. Nuk jam në dijeni të ndonjë platforme tjetër apo forumi ku vlen e njëjta gjë. Nuk ka fusnotë, janë dy palë.Si të barabarta, kanë mundësi të njëjta të bëjnë propozime për çështjet që mund të diskutohen dhe natyrisht edhe përgjegjësi të njëjta për zbatim. Bashkimi Evropian është ndërmjetësues logjik, jo vetëm pse kemi mandat nga Kombet e Bashkuara, por edhe sepse ky proces është i lidhur me të ardhmen evropiane për të dyja shtetet, Kosovën dhe Serbinë. Prandaj, ne duam të sigurohemi se për gjithçka që arrihet pajtueshmëri, të ndërtohet sipas standardeve, normave dhe vlerave evropiane".























