Mustafa: Kritika e QUINT-it ndër më të rëndat për partneritetin tonë me BE
BKT
Lajme

Mustafa: Kritika e QUINT-it ndër më të rëndat për partneritetin tonë me BE

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar qartë se komunikata me qasje të ashpër nga shtetet e QUINT-it është ndër reagimet më të rënda dhe me rrezik afatgjatë për partneritetin e vendit tonë me Bashkimin Evropian dhe Amerikën.

“Përfundimi i deklaratës së QUINT-it, se kjo sjellje e Qeverisë minon aspiratat evropiane, flet për seriozitetin e këtij reagimi. Është ndër reagimet më të rënda dhe potencialisht me rrezik afatgjatë për partneritetin e vendit tonë me BE dhe SHBA”, deklaroi Mustafa për portalin Periskopi.

Tutje, ai tha se QUINT ka qenë në dijeni për qëndrimet e Vetëvendosjes, konkretisht të Albin Kurtit e Vjosa Osmanit.

“Ç’është e vërteta, QUINT i ka ditur edhe më parë qëndrimet e Vetëvendosjes ( të kryeministrit të tanishëm dhe të presidentes) dhe asgjë s’ka ndodhur jashtë asaj çfarë publikisht kanë deklaruar gjatë fushatës, e për çfarë kanë gjetur përkrahje të pa rezervë të këtyre vendeve veç e veç që sot shprehen të pakënaqura”, ka thënë ish-kreu i LDK-së.

Sipas ish-kryeministrit Mustafa, nëse dikush duhet qortuar QUINT-in, duhet qortuar vetveten ‘’sepse disa përfaqësues të tyre diplomatik në Kosovë silleshin thuajse ishin pjesë e Vetëvendosjes’’.

“Prandaj nëse duhet qortuar dikush, Quinti duhet qortuar vetveten, sepse disa përfaqësues të tyre diplomatik në Kosovë silleshin thuaja se ishin pjesë e Vetëvendosjes. Qeveria nuk i ka mashtruar por ata janë vet mashtruar me qëllim apo pa të. Pasojat, druaj se do të jenë të mëdha dhe afatgjata, që do t’i bartë Kosova. Vendi jonë ka nevojë të stabilizohet, të ushtrojë sovranitetin në tërë territorin,  por nëse një pjesë e qytetarëve kërkon zgjidhje në Serbi dhe jo në shtetin e tyre, atëherë kjo flet se institucionet tona janë larg që ta bëjnë punën e tyre”, ka thënë Mustafa.


MË SHUME NGA Lajme