Refuzimi i gazit, Haradinaj: Kurti po iu shërben interesave të Gazpromit
Kryetari i AAK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në emisionin "RTK Prime" ka diskutuar pikëpamjet e tij opozitare ndaj Qeverisë Kurti 2.
Haradinaj ndër temat tjera ka komentuar edhe refuzimin e gazit amerikan, për të cilin thotë se me këtë ‘refuzim ose devijim’ të marrëveshjes, kryeministri Kurti po i bën favor një kompanie rivale ruse si Gazprom-it, e cila është kompani ruse e Putinit.
“Jo vetëm kryeministri, por të gjithë anëtarët e kabinetit të tij janë në shërbim të Gazpromit sot”, tha Haradinaj, për të vazhduar, “Si ka mundësi të refuzohet gazsjellësi amerikan, kur ne po e vërtetojmë të gjithë se lufta për ndikim energjetik është luftë e sigurisë dhe nuk është vetëm treg. Amerika po tenton ta shtrijë ndikimin dhe arriti ta shtrijë deri në BE, kurse kryeministri jonë e refuzon gazin amerikan?!”.
“Sikur të ishte ky gaz i një vendi të tretë, cilitdo pos Amerikës, do të mund të thonim se nuk është në interes të Rusisë, por lufta për gaz është në mes Rusisë dhe Amerikës.
“Jemi vendi i vetëm në BE që po refuzojmë gazin amerikan, që i bjen se jemi vendi i vetëm që po shkojmë sipas interesave të Gazpromit - me kryeministrin duke e refuzuar dhe presidenten duke heshtur, po punojmë për Gazpromin. Për Gazpromin e rusit dhe të Putinit”.
Ai vazhdon ta shpjegojë refuzimin e gazit amerikan si interes eksplicit të Gazpromit, i cili është lajm i keq për Kosovën.
“Kurti është i njëjti njeri, i cili ka refuzuar kompaninë Contour Global për shkak të çmimit të shtrenjtë prej 80 euro për megavat, dhe dy vjet më vonë e ka blerë 600 euro megavatin. Arsyetimi me çmim është mbulesë e refuzimeve”, shprehet Haradinaj.

“Kryeministri jonë për interesa financiare është i mirë me Serbinë. Vazhdojnë marrëdhëniet tregtare dhe lulëzojnë me Serbinë. Ju japin pare serbëve në veri për rrymë, refuzojmë gazin amerikan në Kosovë. Mos harroni, rrallë ka ndodhë një kryeministër me pasë qëndrim kaq gjeostrategjik proserbe dhe proruse në Ballkan”, aludon Haradinaj.
Ish-kryeministri i Kosovës ka folur edhe për refuzimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë dhe reagimin e vendeve të QUINT-it ndaj këtij vendimi të qeverisë.
“Menaxhimi me QUINT-in në këtë mënyrë kur pala jonë është në pozita të armikut e ne të marrim gjuhën e saj, kurse Serbia në anën tjetër të marrë gjuhën e mikut nga QUINT, ky është një dëm që ia ka bërë kryeministri Kosovës”, thotë Haradinaj.
Megjithatë, kryetari i AAK-së deklaron se gazsjellësi amerikan do të ndodhë, meqenëse është projekt që përfshin vende miliona banorësh dhe investime me miliarda euro. Haradinaj pyet nëse Kurti mund ta refuzojë një hartë të tillë energjetike në Evropë.
“Nuk mundet Kurti të vazhdojë ta refuzojë gazin, sepse ai nuk është i vetmi në Kosovë. Edhe ne jemi pjesë e këtij vendi dhe i dimë pasojat. Nëse nuk i takojmë kësaj harte energjetike, mbesim në dilema dhe neutralitet energjetik, për të cilën nuk e kemi atë të drejtë. Ne i takojmë vetëm një harte: asaj të sigurisë politike të energjisë të udhëhequr nga Amerika. Prandaj, këto janë vetëm disa gjimnastika të Kurtit që po i bën në këtë kohë”, u shpreh Haradinaj./S.K.























