Nuk pajtohen për tërheqjen e parave nga Trusti
BKT
Lajme

Nuk pajtohen për tërheqjen e parave nga Trusti

Arlinda Sejda

Pozita është kundër tërheqjes së 30% të mjeteve nga fondi i kursimeve pensionale, duke thënë se kjo nuk bën të krijohet si shprehi, përderisa Partia Demokratike e Kosovës insiston në këtë për shkak se qytetarët kanë nevojë, për shkak të ngritjes së çmimeve.

Nga LDK-ja kanë kërkuar sqarime që nëse ndodh tërheqja, cilat do të jenë pasojat. Ndryshe bëhet e ditur se Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, Trusti, ka arritur të rikuperojë një pjesë të investimeve që pësuan humbje në muajin shkurt, për shkak të krizës në tregjet financiare globale si pasojë e pushtimit ushtarak rus të Ukrainës.

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, Trusti, ka arritur të rikuperojë një pjesë të investimeve që pësuan humbje në muajin shkurt, për shkak të krizës në tregjet financiare globale si pasojë e pushtimit ushtarak rus të Ukrainës.

“Gjatë muajt mars janë rikuperuar pothuajse shumica e vlerës së rënies, rreth 90 milionë euro sa ishte vlera e rënies më të madhe të vlerës së aksioneve, aktualisht kemi rikuperuar një pjesë të madhe, ku tani ka mbërri në rreth 50 milionë euro. Deri në këtë moment kur po flasim, nëse më 25 mars kishim minues 2.4 për qind, sot jemi minus 2.1 për qind. Pra, trendi pozitiv tanimë është duke vazhduar”, tha kryetari i bordit të Trustit, Ruzhdi Morina.

Sipas tij, institucionet janë të gatshëm t'i realizojnë vendimet që vijnë nga Kuvendi, por shtoi se duhet të shqyrtohen mekanizma të tjerë për t’i ndihmuar qytetarët në kohë krize.

“Sa i përket çështjes së debatuar kohëve të fundit për iniciativën e tërheqjes së mjeteve, ne vazhdojmë të mbajmë pozicionin se si institucion nuk dëshirojmë të përfshihemi në debate politike. Kjo mbetet kompetencë e institucioneve, sidomos e Kuvendit të Kosovës se si do ta trajtojë këtë çështje. Ne sikur se kemi qenë të gatshëm dhe jemi të gatshëm të përmbushim çdo vendim që sjellë Kuvendi”, tha Morina.

Por para se të trajtohen tema të tilla, është mirë që të gjithë mekanizmat që i ka shteti në dispozicion për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve.

Armend Muja ka kundërshtuar kërkesën e PDK-së për tërheqjen e 30% të fondeve nga Fondi Pensional.

“Unë nuk kisha prejudikim sa i përket kësaj tërheqjes, isha, nuk është çështja shumë se a ka mundësi apo s?ka mundësi. Vërtet nëse ne bëjmë këso shprehi, çdo herë, çdo vit që të tërhiqen mjetet e trustit, megjithatë nuk po themi se qytetarët nuk kanë nevojë, unë pajtohem, mirëpo me i rritë pritjet. Në kohën kur është tërhequr 10 përqindëshi, kemi pasur një tkurrje ekonomike prej 4 ose 5 për qind, kështu që nuk është situatë e njëjtë, sepse kemi një rritje ekonomike 10 për qind, është rrit edhe konsumi po ashtu 14 për qind krahasuar me vitin 2019”, tha Muja.

Ndërsa, deputeti Avdullah Hoti, ka kërkuar përgjigje nga drejtues të Trustit, për pasojat afat gjate që mund të rrjedhin me tërheqjen e kursimeve nga Trusti.

 “Ka një iniciativë ligjore për tërheqje të mjeteve të Trustit, normalisht kur kjo ka ndodhur në vitin 2020, është arsyetuar me pandeminë, me tronditje të mëdha ekonomike, që ndodhë në një herë në 100 vjet, dhe askush se ka menduar se brenda 2 vjetëve në mund të vijmë deri te një situatë tjetër të krizës ekonomike financiare që është gati e përmasave të pandemisë. Tash unë nuk po iu kërkojë juve mendim, se a jeni për apo kundër, sepse nuk iu takon juve të jepni opinion në këtë çështje, por nëse do të mund të na tregoni se cilat do të ishin pasojat në planet e juaja investuese nëse ndryshohet ligji për miratimin e një tërheqjes shtesë e mjeteve nga Trusti. Dhe cila do të ishte pasoja afatgjate nga ky ndryshim? Po ashtu sa do të ishte përqindja që mendoni se mund të tërhiqet pa shkaktuar probleme në planet e juaja”, tha Hoti.

“Ne jemi aty për të përcjellë gjendjen, për të parë dhe për të vepruar ndaj zhvillimeve. Mund të themi se do të jetë një vit tejet sfidues për ne që të parashohim, sepse parashikimi është tepër I vështirë veçanërisht tani nga ndikimet në aspektin gjeopolitik në tregjet financiar. Kështu që është vështirë që ne ta parashikojmë se si do të rrjedhin, kjo për shkak të luftës në Ukrainë. Të shohim se a do të ndalet apo do të përshkallëzohet edhe më tutje”, tha Morina, kryetar i bordit të Trustit.

Raportimi i drejtuesve të Bankës Qendrore në Komision rreth stabilitetit financiar në vend, nuk ndodhi dje për shkak të mungesës së guvernatorit të BQK-së, Fehmi Mehmeti, që ishte për arsye shëndetësore.

 


MË SHUME NGA Lajme