Bislimi: Kemi plan ambicioz për integrim evropian
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka thënë sot se kanë plan ambicioz për integrimin evropian të Kosovës gjatë këtij vit.
Bislimi e ka raportuar para Komisionit parlamentar për Integrim Evropian, teksa ka thënë se për të gjitha proceset një rol të madh e ka edhe Kuvendi i Kosovës, të cilin e ka kritikuar për mosmiratim të disa projektligjeve.
Ai ka renditur një varg projektligjesh që nuk kanë kaluar ende në Kuvend e që janë pjesë e masave të ERA 2 dhe MSA.
Bislimi theksoi se janë 229 masa të cilat pritet të zbatohen deri në fund të vitit.
Duke iu përgjigjur kritikave të opozitës për moszbatimin e planit legjislativ, siç është edhe Projektligji për pagat, Bislimi theksoi se agjenda legjislative nuk është orar i autobusëve, por plan i veprimit.
Duke iu përgjigjur deputetes Blerta Deliu Kodra, për vonesën e miratimit të Ligjit të pagave, zëvendëskryeministri Bislimi tha se si Qeveri janë të përkushtuar të sjellin një projektligj që nuk është në kundërshtim me Gjykatën Kushtetuese sikur në të kaluarën.
Bislimi në komision bëri të ditur se të enjten e ardhshme do të takohen grupet punuese Kosovë-Serbi për çështjen e targave në Bruksel.
“Të enjten e ardhshme kanë takim Grupi punues i Kosovës dhe Serbisë, për me mundua me finalizua marrëveshjen për targat. Ne shpresojmë që do të ketë qasje konstruktive nga dy palët që kishte me çar deri te një zgjidhje dhe takimi tjetër mbahet më 20 prill, ndërsa me 21 prill duhet me dalë raporti final se a kemi zgjidhje apo nuk kemi. Pala jonë është duke negociuar në mirë besim, me idenë që të arrihet një zgjidhje finale që avancon situatën e tanishme në një zgjidhje permanente dhe sipas standardeve më të mira të praktikave të Bashkimit Evropian”, theksoi Bislimi.
Më 21 shtator 2021, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat nga Serbia. Për këtë vendim pati protesta e ngritje barrikadash në veri të Kosovës, në afërsi të dy pikë kalimeve kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.























