Rama: Problemi i qenve endacakë duhet të trajtohet në nivel shteti
   Komunat

Rama: Problemi i qenve endacakë duhet të trajtohet në nivel shteti

Në zonat urbane të kryeqytetit janë shtuar edhe 18 pika tjera ushqyese për qentë endacakë. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama gjatë vizitës së njërës nga pikat në parkun universitar, tha se problemi kyç janë qentë e pa kastruar dhe sterilizuar.

Rama tha me vendosjen e këtyre pikave ushqyese po synojnë sigurinë e qytetarëve. Ai gjatë së premtes ka njoftuar se tashmë janë 23 pika ushqyese për qentë endacakë.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se ushqyerja e qenve endacakë në këtë pikë të ushqimit do të bëhet një herë në ditë.

“Arsyeja e intervenimit të shpejtë dhe të menjëhershëm është që të ngritët siguria e qytetarëve. Ka treguar në bazë të studimeve dhe analizave të mëparshme se zonat ku ka pasur më parë pika ushqyese, nuk ka pasur sulme prej qenve endacakë. Për arsyeje se kanë qenë të ushqyer nuk kanë qenë të unët dhe për këtë arsyeje kemi ndërmarrë të menjëhershme që me ngrit pikat në të gjitha zonat e kryeqytetit”, ka thënë ai.

Ai gjatë vizitës në pikën ushqyese në mes të “Kishës Ortodokse Serbe” dhe Fakultetit të Edukimit, shtoi se janë duke analizuar gjendjen për të shtuar edhe pikat tjera të ushqimit me qëllim të parandalimit të sulmeve.

“Problemi kyç është i qenve që nuk janë të kastruar dhe sterilizuar, mbahen prej pronarëve privat dhe pastaj lëshohen në rrugë. Dy qenë të cilët nuk janë të kastruar dhe sterilizuar mund të shumojnë deri në 64 mijë qenë. Problemi i qenve endacakë duhet të trajtohet në nivelin e shtetit, për arsyeje se nëse vetëm Prishtina merret me këtë problematikë e jo edhe komunat tjera përreth, atëherë sa do që ne tentojmë që të zgjidhim problemin, kemi problem nga qentë që vijnë nga komunat tjera në Prishtinë”, ka shtuar Rama.

Gjatë së premtes ai ka deklaruar se kanë ofruar bashkëpunim me komunat tjera për rreth. Sa i përket parkut të kafshëve prej 10 hektarësh, ai shtoi se janë duke u bërë përgatitjet për konkurs të ndërtimit e këtij vendi.

Ai ka përmendur edhe pikat tjera ushqyese për qentë endacakë.

“E kemi përballë TMK-së, te Mati 1, te Stacioni i Autobusëve, te Ministria e Aftësimit Profesional, Spitali, në Ulpianë, këtu te Kisha, në Taukbashqe, në Sofali, në Lagjen e Vreshtave, në Llukar, në Kolovicë, Arbëri, Zllatar dhe po ashtu në Veternik. I kemi të ndara përgjatë gjitha zonave urbane të kryeqytetit”, ka deklaruar ai.

Në vendin ku është vendosur një nga pikat ushqyese pranë Kishës Ortodokse janë parë shumë mbeturina, për çka Rama tha se nuk është i kënaqur me Hortikulturën.

“Po kjo pjesë gjithsesi se duhet të pastrohet, nuk jam i kënaqur me pastrimin me kompaninë “Pastrimi” po ashtu me “Hortikulturën”. Jemi në proces e sipër të ristrukturimit për me marr këtë aspekt me përgjegjësinë më të madhe që të pastrohet Prishtina. Jemi duke i organizuar edhe dy data gjatë vitit ku në bashkëpunim me FSK-në e shkollat, do bëjmë pastrimin e qytetit edhe në zona rurale edhe në zona urbane dy here në vit. Duhet të kem edhe bashkëpunim me gjithë qytetarët e Prishtinës, sepse këto ne i hudhim, këto nuk pikin prej qiellit”, tha Rama.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa