Rama: Problemin e qenve endacakë nuk mund ta zgjidhë vetëm komuna
   Komunat

Rama: Problemin e qenve endacakë nuk mund ta zgjidhë vetëm komuna

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama ka reaguar pasi një qytetare sot është sulmuar nga qentë endacakë.

 

Ai ka thënë se qentë endacakë janë shndërruar në problem kompleks, të cilin nuk mund ta zgjidhë vetëm komuna, porse nevojitet bashkërendim i veprimeve me Qeverinë dhe komunat e tjera.

“Me shqetësim pashë sot pamjet, ku një qytetare e Prishtinës sulmohet nga qentë endacakë! Ne jemi të vetëdijshëm për problemin shumë kompleks që kemi para vetes dhe në këtë drejtim kemi ndërmarrë disa veprime, si trajtimi i qenve endacakë përmes procesit KSVL (Kap, Sterilizo, Vaksino, Lësho) dhe hapjes së 18 pikave të reja ushqyese. Gjithashtu, po punojmë dhe kemi filluar procedurat për ndërtimin e strehimores për qentë. Por, kjo nuk mjafton për të eliminuar në tërësi këtë problem”, ka shkruar Rama në një postim në Facebook.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti në janar të këtij viti kishte thënë se prania e madhe e qenve endacakë është shndërruar në problem të sigurisë së qytetarëve dhe shëndetit publik në përgjithësi.

Ai ka thënë se qeveria do të hartojë një strategji kombëtare për menaxhim të qëndrueshëm dhe efektiv të popullsisë së qenve dhe se do të mbështesë nivelin lokal për zbatimin e përgjegjësive ligjore lidhur me këtë temë.


APR
Romay Lift