VIDEO-Votohet Projektligji për ndihmë të ndërsjellë juridike me Shqipërinë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, raportoi para Komisionit për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete, ku u miratua projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare.
Ajo tha se kjo marrëveshje lehtëson bashkëpunimin mes dy vendeve në sferën e fushës juridike. Kjo marrëveshje përfshin marrëdhëniet e punës, ato familjare, të pronës dhe garantimin e mbrojtjes të të drejtave të njeriut, si dhe qasje të lirë pranë gjykatave.
Gjatë raportimit në Komisionin për Legjislacion Haxhiu ka folur edhe për çështjen e pushimit vjetor për të burgosurit.
Ajo ka bërë të ditur se u janë dyfishuar ditët e pushimit vjetor të gjithë personave të burgosur në Kosovë.
Sipas Haxhiut të burgosurit nga tash e tutje do t’i kenë 14 ditë të rregullta pushim vjetor dhe 7 të tjera të jashtëzakonshme ku përfshihen rastet e vdekjes dhe situata të tilla.
Më tutje Haxhiu tha se kjo është bërë bazuar edhe në praktikat e vendeve të rajonit, teksa shtoi se ka pasur kërkesa për më shumë ditë pushim nga të burgosurit.























