Takimi i ministrave të jashtëm të BE-së me Borell mbahet me 11 prill
BKT
Lajme

Takimi i ministrave të jashtëm të BE-së me Borell mbahet me 11 prill

Gjeraqina Tuhina

Agresioni rus në Ukrainë ka shtyrë vendet perëndimore të mendojnë edhe për një pjesë tjetër të Evropës. Në këtë rast bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor.

Disa vende anëtare të BE-së, zyrtarisht sot i kërkuan shefit të unionit për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrel, që në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme që mbahet të hënën më 11 prill, në debatin strategjik, të përfshihet edhe Ballkani perëndimor.

Ministrat e Jashtëm të Austrisë, Sllovenisë, Sllovakisë, Hungarisë dhe Çekisë, kanë kërkuar formalisht nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Jospe
Borell që në takimin e ministrave të jashtëm të përfshijë debatin strategjik për Ballkanin Perëndimor.

Pesë shefa të diplomacive nga shtete anëtare të Bashkimit Evropian me anë të letrës së dërguar tek Borell konsiderojnë se situatë gjeopolitike ka përjetuar ndryshime drastike për shkak të luftës në Ukrainë andaj edhe e konsiderojnë të duhur debatin për rajonin në dritë të agresionit rus.

Ata nëpërmjet të letrës kërkojnë hapat konkret në mënyrë që të parandalohen efektet dëmtueses të luftës në Ukrainë në Ballkanin Perëndimor, përfshirë këtu shtytjen urgjente të proceseve të integrimit.
Në këtë rrafsh ministrat e jashtëm të Austrisë, Sllovenisë, Sllovakisë, Hungarisë dhe Çekisë, konsiderojnë se duhet sa më shpejtë të hapen negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe
Maqedoninë e Veriut, përshpejtimi I negociatave të anëtarësimit me Malin e Zi dhe Serbinë, dhënia e statusit të kandidatit për Bosnjën e Hercegovinën si dhe avancimi në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë konfirmuar se do debatohet për rrethanat në rajon në takimin ministror i cili do mbahet të hënën më 11 prill.



MË SHUME NGA Lajme