Ilaçet kundër dhimbjeve merren pa recetën e mjekut
Besjana Mulaj
Vitaminat dhe medikamentet kundër dhimbjeve mund të blihen pa recetë të mjekut, por konsumimi i tyre në shumë raste është i panevojshëm.
Farmacistët thonë se përdorimi i tepërt shkakton efekte anësore. Analgjetikët merren pa recetën e mjekut, ndërsa vitaminat blihen edhe nëpër dyqane.
Në shumë barnatore në kryeqytet kërkesat më të shpeshta të pacientëve janë për suplementet që ndryshe njihen edhe si vitamina, madje ato mund të blihen edhe në disa dyqane ushqimore dhe kjo ka ndikuar në përdorimin e paarsyeshëm të tyre.
“Përditshmëria jonë është ma e madhe në ato që ne I quajmë suplemente apo vitamina kryesisht pacientët interesohen për ngritjen e imunitetit sezonal apo edhe prej kohës së pandemisë, janë vitamina D, kalciumi, zinku janë suplemente që ndikojnë në ngritjen e imunitetit por duke e pas gjithmonë parasysh që përdorimi i tepërt i dozës së tyre ka efekte anësore”, thotë farmacisti Valon Azemi.
Kërkesa të shpeshta ka edhe për konsumimin e grupit të barnave analgjetike që janë kundër dhimbjeve, ndaj të cilave shumë lehtë përfitohet varshmëria.
“Oligoelementet dhe analgjezikët janë një grup i madh i barnave të cilët varësisht se cilën substancë përmbajnë kanë edhe veprimet e veta anësore, kemi edhe analgjezik në vendin tonë që përdoren jashtëzakonisht shumë, por që në Evropë dhe në vendin e prodhimit nuk rekomandohen dhe nuk përdoren”, thotë Florina Berisha, Kryetare e shoqatës farmaceutike.
Analgjetikët apo barnat kundër dhimbjeve importohen përmes Agjencisë së Barnave dhe Produkteve Medicinale.
RTK ka provuar të marrë përgjigje se sa është sasia e konsumuar e këtyre medikamenteve brenda vitit, por zyrtarët e kësaj agjencie nuk janë përgjigjur. Të dhëna zyrtare nuk ka as për sasinë e konsumimit të vitaminave.























