Osmani e sheh shqetësues ndikimin e Rusisë në Ballkan
BKT
Lajme

Osmani e sheh shqetësues ndikimin e Rusisë në Ballkan

Presidentja Vjosa Osmani ka folur në një intervistë për transmetuesin kombëtar të Australisë ABC.

Ajo tha se Kosova nuk qëndron e heshtur përballë tiranisë që po ndodh në Ukrainë, ndërsa e sheh shqetësues ndikimin e Rusisë në Ballkan, sidomos nëpërmjet Serbisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për transmetuesin australian “ABC”, në programin kryesor politik të këtij mediumi, ka folur rreth zhvillimeve të fundit politike në vend, përjetimet e popullit të Kosovës në luftën gjenocidale të viteve të 90-ta, për luftën në Ukrainë dhe ndikimin rus në Ballkan.

Sipas Osmanit, pamjet e Ukrainës janë të njohura për qytetarët e Kosovës pasi janë kujtime të tmerrshme të së kaluarës sonë.

“Vërtetë kthehen kujtimet e dhimbshme. Kosovarët kanë qenë viktima të gjenocidit, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit gjatë viteve 90-ta, krime të bëra si rezultat i politikave gjenocidiale të Millosheviqit. Janë kujtime të tmerrshme të së kaluarës sonë, por edhe një kujtim që drejtësia ende nuk është ofruar për viktimat e këtyre krimeve. Ne kemi kaluar nëpër këtë. Kemi qenë refugjatë, kështu që kemi treguar solidaritet dhe jemi shteti i parë në Ballkanin Perëndimor që ka vendosur sanksione në një vijë me partnerët tanë si SHBA-në, BE-në por edhe Australinë e partnerë tjerë”, ka thënë Osmani.

Ajo ka shtuar se Rusia në Ballkanin Perëndimor e ka një satelit, siç është Serbia pasi i ka shërbyer interesave ruse për një kohë.

“Qartë që për rajonin tonë mund të ketë pasoja, veçanërisht të lidhura me sigurinë. Rusia ende ka një satelit në rajonin tonë, që është Serbia. Ajo i ka shërbyer interesave ruse për një kohë. E ka rritur bashkëpunimin ekonomik e ushtarak me Rusinë gjatë këtyre viteve të fundit, në një përmasë aq të madhe sa është shqetësim jo vetëm për shtetet e rajonit, që e duan paqen, por edhe për partnerët tanë nëpër botë”, ka shtuar Osmani.

Në pyetjen e gazetares pse NATO nuk po ndërhynë në Ukrainë ngjashëm siç kishte ndërhyrë duke bombarduar ish-Jugosllavinë për ta ndaluar gjenocidin në Kosovë, Osmani ka thënë se duhet bërë çdo gjë të mundur për të ndaluar vuajtjet e qytetarëve të Ukrainës./RTK


MË SHUME NGA Lajme