MSA dhe integrimi në BE, Szunyog:Sundimi i ligjit është në thelbin e MSA-së
Visar Shatrolli
Për zbatimin e MSA-së është diskutuar në një takim me Këshillin e Investitorëve Evropianë. Aty u tha se Kosova pas gjashtë vjet të nënshkrimit të MSA-së i ka plotësuar kushtet për të aplikuar për anëtarësim në BE.
Përfaqësuesit e Unionit Evropian thanë se sundimi i ligjit është substanca e funksionimit të kësaj marrëveshjeje.
Qeveria e Kosovës planifikon që gjatë këtij viti të dorëzojë kërkesën formale për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Këtë e ka bërë të ditur zëvendëskryeministri Besnik Bislimi
“Qeveria e RKS ka marr vendim që gjatë vitit 2022, gjashtë vjet e gjysmë pas hyrjes në fuqi të MSA të aplikojë për anëtarësim në BE me shpresën që edhe BE do i përgjigjet pozitivisht sidomos nisur nga fakti se Kosova është vend i vetëm që nuk ka aplikuar për anëtarësim", ka thënë Bislimi.
Këto deklarime Bislimi i bëri në konferencën organizuar nga Këshilli i Investitorëve Evropianë në 6-vjetorin e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, në të cilën i pranishëm ishte Shefi i Zyrës së BE-së Kosovë, Thomash Szunyog.
Ky i fundit tha se Qeveria duhet që ta mbështes sektorin privat, duke shtuar se detyrë vendimtare mbetet shtyrja përpara e reformave që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit.
“Me nënshkrimin e MSA-së, Kosova është zgjeruar sa i përket tregtisë. Kjo do të krijojë stimulim në tërheqjen e investitorëve të huaj. Sundimi i ligjit është në thelbin e MSA-së. Për të stimuluar ekonominë, MSA-ja ofron atë që është e nevojshëm fuqizimi i sektorëve në treg në ekonomi, pajtueshmëria e produkteve me standardet e BE, sigurimi i funksionimit të institucioneve nga Autoriteti i Konkurrencës deri te sundimi i ligjit”, ka thënë Szunyog.
Zv/kryeministri Bislimi tha se janë ndërmarrë të gjitha hapat për zbatim të marrëveshjes duke filluar nga hartimi i ligjeve, ku sipas tij, 30 ligje janë duke u shqyrtuar nëpër Komisione.
”Boshti i marrëveshjes sillet rreth ekonomisë dhe sundimit të ligjit. Këto dy marrëveshjet kanë marr edhe kjo përputhet qind për qind me misionin që ka pas qeveria Kurti që në start punësimin edhe drejtësinë”, ka thënë Bislimi.
Shefi i BE-së këtu u ndal edhe tek liberalizimi i vizave për çka tha se Qeveria e Kosovës duhet t’i bëjë detyrat e shtëpisë dhe t’i prezantojë sukseset në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
”Do të doja të shihja pjesën përveç institucioneve të BE-së, të shihja edhe qeverinë të bëjë detyrat e saj të shtëpisë, t’i prezantojë sukseset në këtë fushë, dhe të punojë me shtetet anëtare ashtu që të marrë mbështetjen e duhur pranë Këshillit”, ka shtuar Szunyog.
Hyrja në fuqi më 1 prill 2016 e MSA-së ka shënuar një hap të rëndësishëm në raportet e BE-së me Kosovën, si në aspektin juridik ashtu edhe në aspektin ekonomik, tregtar e politik.























