Kryeziu: Paga minimale prej 264 eurosh është një domosdoshmëri
Qeveria e Kosovës e ka miratuar projektligjin që e cakton pagën minimale në vlerë prej 250 euro neto, apo 264 euro bruto. Sipas Qeverisë përmes këtij ligji synohet eliminimi për pasigurinë juridike për pagën minimale në nivel kombëtar. Sindikatat kanë reaguar të pakënaqura me këtë rritje duke kërkuar që paga minimale të jetë 400 euro.
Përparim Kryeziun, zëdhënës të Qeverisë së Kosovës në emisionin “Imazhi i ditës” në RTK, tha se sot është votua projektligji i cili i mundëson Qeverisë ta rritë pagën minimale nga 130 në 264 euro bruto. Kjo sipas tij është domosdoshmëri duke e pas parasysh gjendjen ekonomike me të cilën po ballafaqohen qytetarët.
“Projektligji është bërë dhe shifra e pagës minimale prej 264 eurosh është zotim i yni, njëherit është edhe kalkulim ekonomik. Paga minimale do të varet edhe nga paga mesatare dhe zhvillimi ekonomik. Është imperativ i yni që kjo të miratohet sa më parë”, ka thënë Kryeziu.
Sipas tij, sindikatat synojnë një pagë më të madhe minimale, por ajo nuk mund të jete 400 euro, sa është tani përafërsisht paga mesatare, sepse kjo do të shkaktonte pabarazi.
Kryeziu foli edhe për mbi 100 milionët shtesë të cilat i ka nda Qeveria prej të cilave asistencë sociale përfitojnë rreth 800 000 qytetarë.
Për më shumë ndiqni videon në vazhdim:























