VIDEO-Boletini: Për çdo muaj kemi kursyer afro 79 mijë euro 
BKT
Lajme

VIDEO-Boletini: Për çdo muaj kemi kursyer afro 79 mijë euro 

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere i Kuvendit të Kosovës, sot, ka mbajtur mbledhje, në të cilën është bërë shqyrtimi dhe miratimi i Raportit të Shpenzimeve të Radio Televizionit të Kosovës për periudhën janar-mars 2022 si dhe miratimi i Programit të Shpenzimeve të Radiotelevizionit të Kosovës për periudhën prill-qershor 2022, në shumë mbi 2 milionë e 240 mijë euro.

Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini në një intervistë në “Lajmet qendrore” në RTK, tha se kjo është faza e parë e punës si bord i ri dhe menaxhment aktual.

“Ky është një prej sukseseve të para, ne kemi krijuar një situatë pak më komode në aspektin e shpenzimeve, kemi pasur një shpenzim dhe një menaxhim shumë më të kujdesshëm financiar, kemi pasur kursime të cilat do të jenë në shërbim të zhvillimit të mëtutjeshëm të RTK-së në disa  sektore të ndryshme, p. sh tash për çdo muaj i kemi afër 79 mijë euro kursime”, tha Boletini.

Ai thotë se Bordi ka një plan vjetor të punës  dhe i kanë aty të gjitha prioritet kryesore, një ndër ato, sipas tij janë çështja e pronës së RTK-së për të cilën do të angazhohen maksimalisht.

“Do të mundohemi me të gjitha organet kompetente ta zgjidhim këtë çështje fillimisht, kurse në aspektin tjetër  RTK dihet që për një kohë të gjatë s’ka pasur investime kapitale sepse ka pasur borxhe te mëdha,  rreth 5 milion euro  dhe te gjitha parat kanë shkuar në borxhe dhe jo në investime. Do të provojmë që të marrim mjete shtesë  nga Kuvendi i Kosovës në rishikim që do të bëhet në qershor”, tha pos tjerash Boletini.


MË SHUME NGA Lajme