Osmani për EFE: Putin përdor Serbinë për destabilizim të Ballkanit
BKT
Lajme

Osmani për EFE: Putin përdor Serbinë për destabilizim të Ballkanit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se presidenti rus, Vladimir Putin, do të kërkojë të përdorë Serbinë për të destabilizuar Ballkanin dhe, bashkë me të, të gjithë Evropën Perëndimore, në një sulm kundër vlerave demokratike të Bashkimit Evropian.

Këto komente presidentja Osmani i bëri në një intervistë për agjencinë spanjolle të lajmeve EFE, nëpërmjet një video-telefonate.

Osmani tha se është e alarmuar nga rritja e mundshme e tensioneve në Ballkan, ku Serbia është aleate e Rusisë.

“Padyshim, Putin do të përpiqet të përdorë Serbinë për të destabilizuar rajonin tonë, sepse përmes rajonit tonë ai dëshiron të arrijë Evropën. Ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Ballkan do të thotë të mbash paqen dhe stabilitetin në të gjithë kontinentin evropian”, tha Osmani.

Ajo tutje theksoi se Serbia gjatë muajve të fundit ka kryer dhjetëra stërvitje ushtarake me Rusinë.

“Ne mbetemi mjaft të shqetësuar sepse Serbia ka rritur sasinë e armëve që po blen dhe kjo tregon synimet e saj në rajon”, tha Osmani, duke iu referuar mbërritjes së fundit në Beograd të një sistemi modern kundërajror kinez.

Lidhur me pretendimet e Rusisë se ka ndërhyrë në Ukrainë për të ndalur një ‘gjenocid’ të supozuar mbi popullatën rusisht-folëse, pa miratimin e OKB-së, siç bëri NATO në Kosovë, Osmani këtë krahasim të Rusisë e quajti “propagandë” dhe shtoi se rreth 13,000 njerëz u vranë në Kosovë para ndërhyrjes së NATO-s dhe se shumica e popullsisë ishte dëbuar nga vendi nga forcat serbe me synimin e spastrimit etnik.

“Nëse ka diçka për të krahasuar në këto dy luftëra, janë veprimet e Millosheviqit me veprimet e Putinit. Në të njëjtën mënyrë Millosheviqi u bë i njohur si ‘kasapi i Ballkanit’, tani Putini është tani kasapi i demokracisë, sepse ai jo vetëm që kërkon të dominojë Ukrainën, por synon të shkatërrojë mënyrën tonë demokratike të jetesës”, shtoi Osmani.

Ajo gjatë kësaj interviste po ashtu bëri thirrje që Kosova të njihet nga të gjitha vendet evropiane, përfshirë Spanjën si dhe ato nga Amerika Latine.


MË SHUME NGA Lajme