"Telekino" - prelud i skemës së re programore në RTK
BKT
Lajme

"Telekino" - prelud i skemës së re programore në RTK

Nga sonte, në RTK1 shikuesve do t’u rikthehet emisioni "Telekino" me autore Mirjeta Baraliun. Ky emision është në kuadër të shumë emisioneve të reja dhe të rikonceptuara, që do të zënë vend në ekranin e transmetuesit publik, pas miratimit të shtunën nga Bordi i RTK-së të skemës së re programore.

Në këtë sezon programor, ekranit të RTK-së do t’i kthehen figura të njohura televizive me emisionet e tyre të rikonceptuara dhe me skenografi të re. Shumica e emisioneve të tjera do të fillojnë të shfaqen nga java e parë e majit. Kështu, programi i RTK-së, krahas programeve standarde, është pasuruar edhe me emisione të reja për çdo familje kosovare dhe të dedikuara për grupe të ndryshme shoqërore si: fëmijët dhe të rinjtë, dashamirët e kulturës në zhanret e saj të veçanta, art, film dhe libër dhe të tjera. Fokus i shtuar pa dyshim i është dhënë sektorit të ekonomisë, arsimit, politikës dhe jetës parlamentare në Kosovë.

Ud. Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, pret që skema e re programore të kontribuojë në rritjen e shikueshmërisë dhe besimit te transmetuesi publik. "Më së shumti risi ka në skemën e re programore të RTK 1. Shumë emisione ekzistuese ose historike të RTK-së janë zhvendosur në atë që në terminologjinë televizive njihet si prime time, ndërkaq në fundjavë janë shtuar emisione të reja", ka thënë Ahmetxhekaj.

Në këtë kuadër, në RTK1 do të zërë vend emisioni i ri i pasdites, që do të transmetohet nga e hëna në të premte. Emisioni "Ekonomiks" do të rikthehet po ashtu me strukturë të re. "Zona e Parlamentit", "Porta", "Toka”, "Sense", "Personazh" janë emisionet e reja të cilat do të krijojnë identitetin e tyre në RTK, e që u dedikohen shijeve të ndryshme të shikuesve. Po ashtu, në skemën e e re programore do të zërë vend edhe një emision për teknologjinë. Emisionet "Voyage", "N’Za", të rikonceptuara dhe me skenografi të re, do të transmetohen në prime time.

Sipas Ud.Drejtorit të Përgjithshëm, së shpejti do të shpallet edhe thirrja për aplikim të produksioneve të jashtme, ndërkaq në skemë mbeten emisionet që tashmë janë identitet i RTK-së. "Shumë shpejt, potencialisht gjatë javës tjetër, do të shpallim konkursin për produksionet e jashtme audiovizuele, e të cilat do të shtohen në skemën e re programore. Do të kërkojmë nga krijuesit e pavarur që të sjellin vepra autentike, të cilat përmbushin shijen e shikuesve të RTK-së e të cilët duhet po ashtu para së gjithash të përmbushin edhe standardet profesionale të RTK-së", ka sqaruar Ahmetxhekaj.

Risi tjetër do të jetë edhe riformatimi i RTK 3, ku së shpejti kanali i tretë do të funksionojë me pamje të re, si kanal informativ, i ridizajnuar me koncept të ri, e që drejtuesit e RTK-së shpresojnë të zërë vend në secilën hapësirë. Skema e re programore e RTK-së përmban risi edhe në RTK 2, ndërkohë që pritet pasurimi me emisione të reja të Radio Kosova 1 dhe 2.


MË SHUME NGA Lajme