Pas seancës së Kuvendit, opozita bojkoton edhe një komision
BKT
Lajme

Pas seancës së Kuvendit, opozita bojkoton edhe një komision

Debati mes pozitës e opozitës, i nisur në seancën e së martës, pas dështimit të votimit të Komisionit hetimor parlamentar për energjinë, është bartur në mërkurën në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Emine Hoti/ RTKlive

Derisa është shqyrtuar projektligji për Policinë Ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës, deputetët e opozitës thanë se nuk do të marrin pjesë në votim.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, deklaroi se për LDK është e papranueshme sjella e pozitës ndaj opozitës dhe se partia që përfaqëson,  nuk do të marrë pjesë në asnjë votim dhe çështje që trajtohet në komision, derisa  nuk themelohet Komisioni Hetimor.

Edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra u shpreh se kjo parti nuk do të jetë pjesë e votimeve të asnjë projektligji, derisa nuk themelohet Komisioni Hetimor për Energji.

Një ditë më parë në Kuvendin e Kosovës u debatua për krijimin e një Komisioni hetimor për krizën energjetike, por një nismë e tillë e opozitës dështoi pasi Vetëvendosje nuk e përkrahu një nismë të tillë.


MË SHUME NGA Lajme