Lajçak në Beograd: BE pret që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e dialogut
Naser Mekolli /RTKlive.com
Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, po qëndron sot në Beograd në një vizitë të paparalajmëruar, ku është takuar me presidentin serb, Aleksander Vuçiq. Kjo po ndodhë në ditën kur delegacioni i Kosovës dhe i Serbisë diskutojnë në Bruksel rreth çështjes së targave të automjeteve.
Vazhdimi i dialogut Beograd-Prishtinë, rëndësia e Marrëveshjes së Brukselit, si dhe takimi i ardhshëm në nivelin e lartë, ishin temat kryesore në takimin mes presidentit serb, Aleksander Vuçiq dhe të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, raporton për RTK, Anamari Repiq.
Në një postim në Twitter, Mirioslav Lajçak tha se ka biseduar me Vuçiqin për të gjitha çështjet që aktualisht janë në agjendë, përfshirë edhe për takimin e ri të nivelit të lartë.
Ndërkaq, në njoftimin e Presidencës serbe, thuhet se Vuçiq gjatë takimit ka kërkuar që Marrëveshja e Brukselit, para së gjithash ajo për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicës serbe, të respektohen dhe zbatohen plotësisht.
Vuiçiqi theksoi se Serbia mbështetë përpjekjet e Lajçakut për të arritur një zgjidhje përmes politikës së kompromisit, pa ultimatum edhe zgjidhje të imponuara.
Kurse Lajçak ka thënë se do të jetë plotësisht i angazhuar në vazhdimin e dialogut, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, pa vonesa të mëtejme. Ai tha se vendet e BE-së presin që të dyja palët të zbatojnë të gjitha gjërat për të cilat janë marrë vesh gjatë dialogut të zhvilluar në dhjetë vjetët e fundit.























