Donfried: Riangazhim urgjent në dialog, ‘status-quo’ e paqëndrueshme
Blerim Halimi /RTKlive.com
Ndihmësekretarja amerikane për Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, Karin Donfried, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të riangazhohen urgjentisht në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Në konferencën pas takimit me kryeministrin Kurti ajo ka thënë se për SHBA-në mbetet prioritet dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ne i japim mbështetje të madhe dialogut të lehtësuar nga BE-ja, për të ndihmuar Kosovën që të arrijë një marrëdhënie të normalizuar me Serbinë të përqendruar në njohje të ndërsjellë. Status-quo është e paqëndrueshme. Kjo jo vetëm që pengon të ardhmen e dy vendeve, por i bën të mira Kremlinit. Rusia dëshiron të shkatërrojë çdo unitet dhe konsolidim demokratik në Ballkanin Perëndimor, duke u suguruar që ju e shtetet fqinje të mos integroheni në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, ka theksuar Donfried.
Sipas saj, Rusia beson se një Ballkan më i fuqishëm, më me prosperitet e demokratik, do të jetë kërcënim për influencën e saj.
“Mënyra më e mirë për t’iu kundërvënë përpjekjeve të Kremlinit për ta destabilizuar rajonin është e thjeshtë, Kosova e Serbia duhet të bëhen bashkë e në mënyrë urgjente të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, që ka një mbështetje të fuqishme nga SHBA-ja”, ka shtuar Donfried.
Ajo ka thënë se SHBA-të dhe aleatët e tjerë vazhdojnë të angazhohen për stabilitetin në Ballkan Perëndimor, teksa KFOR sipas saj është në Kosovë për t’u përkujdesur për paqe e stabilitet.
Donfried po ashtu ka përgëzuar lidershipin e Kosovës në rreshtimin karshi shteteve demokratike duke i vendosur sanksione Rusisë, si dhe për pranimin e refugjatëve afganë, si dhe për gatishmërinë për të pranuar refugjatë ukrainas.























