Rastin “Veteranët”, Apeli e kthen në rigjykim
BKT
RTK
Lajme

Rastin “Veteranët”, Apeli e kthen në rigjykim

Jeton Musliu / RTKlive.com

Në shtator të 2018-s, Prokuroria Speciale e Kosovës, ngriti aktakuzë ndaj tyre. Të gjithë u patën deklaruar të pafajshëm. Por, ish-prokurori i lëndës Elez Blakaj,  kishte dhënë dorëheqje më 13 gusht të 2018-s, sipas tij, "për shkak të kërcënimeve".

 Kjo ka ndodhur për rastin e quajtur si “veteranët. Tani, rreth katër vjet më vonë, Gjykata e Apelit vendosi ta kthejë në rigjykim rastin e keqpërdorimeve me listat e veteranëve të UÇK-së. 

Gjykata e Apelit njoftoi të martën se e ka rrëzuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, që i kishte liruar të akuzuarit Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj dhe Xhavit Jashari, nga akuza për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. 

“Aprovohet si e bazuar ankesa e Prokurorisë Speciale të Kosovës, ndërsa, anulohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore ne Prishtinë, Departamenti për Krime te Renda, i datës 16.04.2021, dhe lënda kthehet në rigjykim dhe vendosje”, shkruan në njoftim.

Gjykata e Apelit në arsyetimin e vendimit për kthimin e rastit "Veteranët" në rigjykim, thekson se ka gjetur se shkalla e parë ka vërtetuar në mënyrë të gabuar faktin më thelbësor që ka të bëjë me miratimin e listave nga komisioni.

Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuarit duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 88.769.217.04 euro.

Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktgjykim lirues më 19 janar 2021.


MË SHUME NGA Lajme