Kurti, thirrje shqiptarëve të votojnë Shaip Kamberin (e plotësuar)
BKT
Foto/ RTK
Lajme

Kurti, thirrje shqiptarëve të votojnë Shaip Kamberin (e plotësuar)

A.B/ RTKlive.com

Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje shqiptarëve të Bujanovcit që të dalin masivisht në votimet e përsëritura në një vendvotim për zgjedhjet parlamentare në Serbi.

"Një përqindje e vogël e votave mund të ndryshojë situatën dhe shqiptarët të mund të marrin një ulëse në Kuvendin e Serbisë. Pas vendimit për përsëritjen e zgjedhjeve në qendrën 6 të vendvotimit në Bujanoc, janë rritur gjasët që bartësi i listës së Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, z. Shaip Kamberi, të fitojë edhe një mandat deputeti. Potenciali votues i vendvotimit 6 është 1089 vota. Nevojiten 650 vota ose votimi i 60% të qytetarëve nga lista e votimit që z. Kamberi të vazhdojë përfaqësimin e shqiptarëve", ka shkruar Kurti në "Facebook".

Sipas tij për dy mandate përfaqësimi z. Kamberi ka qenë gjithmonë i zëshëm gjatë seancave parlamentare në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve dhe në denoncimin e regjimit autokratik në Serbi. "Ai e pati mbajtur fjalimin e parë në gjuhën shqipe në Kuvendin e Serbisë së pasluftës. “Sot është një ditë e veçantë. Është ditë e parë pasi që një Gjykatë e këtij shteti ka legalizuar termin ofendues ‘šiptari’”, ishin fjalët e para të fjalimit të tij. Deputeti Kamberi kundërshtonte ashpër para kuvendarëve serbë ndryshimin e pjesshëm të Kushtetutës së Serbisë, duke besuar se akti duhet të ndryshohet në tërësinë e tij. Ai përmendte si problematike preambulën e Kushtetutës, e cila përcakton Kosovën si pjesë të Serbisë. Në seancën e 29 tetorit 2020, z. Kamberi listonte faktet për masakrat e Serbisë në Kosovë dhe mohimin e fshehjen e krimeve nga shteti serb. Në seancën e 26 nëntorit 2020, dy ditë para Festës së Flamurit, deputeti Kamberi kërkonte që të krijohen kushtet për përdorimin e simboleve kombëtare shqiptare. Skena kur gjersa diskutonte nxori flamurin shqiptar dhe e vendosi në bankën e deputetit, na pati bërë krenarë. Fjalimi i tij edhe më shumë. Si deputet ai vazhdimisht avokonte për reciprocitet të drejtash të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit me ato të pakicës serbe në Kosovë" tha Kurti.

Sipas tij edhe procesi i pasivizimit të adresave që selektivisht po zbatohet ndaj shqiptarëve ka filluar të japë rezultatet e veta. "Migrimi i shqiptarëve, si pasojë e diskriminimit dhe shtypjes së vazhdueshme nga pushteti, ka sjellë edhe zvogëlimin e elektoratit shqiptar. Prandaj, ju ftoj që sot, më 28 prill, të gjithë ju më të drejtë vote, të shkoni në vendvotimin numër 6 në Tërnoc dhe të votoni për Koalicionin e Shqiptarëve të Luginës, të votoni për Shaip Kamberin", ka shkruar Kurti.

Ora 09:54

Në Tërnoc po votohet, RTK ndjek procesin

Sot në vendvotimin nr. 6 në Tërnoc të Madh të Bujanocit po përsëriten zgjedhjet për deputet në Parlamentin e Serbisë.

Gazetari i RTK-së, Alban Selimi raporton se votimi ka filluar në ora 07:00 e mëngjesit dhe deri më tani nuk ka pasur asnjë problem. Deri në ora 9:50 kanë votuar rreth 90 persona.

Ndryshe këto zgjedhje janë përsëritur me vendim te Komisionit Republikan te Zgjedhjeve. Të drejtë vote në këtë vendvotim kanë 1089 qytetarë derisa janë të nevojshme 650 vota që kandidati i Koalicionit të Shqiptareve të Luginës, z. Shaip Kamberi të mund të fitojë një ulëse në Parlamentin e Serbisë.

Më 03 prill, Koalicioni kishte 9693 vota, por këto nuk siguruan asnjë mandat për Kuvendin e Serbisë. Në qendrën e votimit 06 ku sot po përsëritet votimi, me 03 prill kanë votuar 226 qytetarë, me një pjesëmarrje prej 23 për qind.FOTO/


MË SHUME NGA Lajme