Nis seanca, Dritan Abazoviq kandidat për kryeministër të MZ (E plotësuar)
BKT
Foto: Kuvendi i Malit të Zi
Lajme

Nis seanca, Dritan Abazoviq kandidat për kryeministër të MZ (E plotësuar)

Jeton Musliu / RTKlive.com

Kuvendi i Malit të Zi po vazhdon punimet  në seancën që po mbahet në Cetinje.

Parlamenti i Malit të Zi sot duhet të zgjedhë Qeverinë e re të 43-të të Malit të Zi. Paraprakisht në seancë, kryetare e Kuvendit është zgjedhur Danijela Gjuroviq. Pas një pushimi, seanca vazhdoi me pikën kryesore, atë për krijimin e Qeverisë së re.

Mandatar për kryeministër të Malit të Zi është   Dritan Abazoviq, i cili para deputetëve po paraqet programin e punës së qeverisë së ardhshme.

Abazoviq theksoi se qeveria e re do të bazohet në dy shtylla kryesore - sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik, të cilat kanë pesë linja prioritare të veprimit, përkatësisht: lufta kundër korrupsionit, investime më të qëndrueshme, integrimi në Bashkimin Evropian, zhvillimi i qëndrueshëm dhe mbrojtjen e mjedisit dhe afirmimin e fëmijëve dhe të rinjve.

Ai shtoi se të gjithë anëtarët e Qeverisë janë të obliguar të merren me të ardhmen e Malit të Zi, e jo me kapjen e tij të mëtejshme sikurse në të kaluarën.

“Prandaj jam krenar që për herë të parë subjektet që nuk kanë bashkëpunuar drejtpërdrejt deri më tani, do të punojnë së bashku”, tha Abazoviq, raportion RTCG (Televizioni publik i Malit të Zi).

Abazoviq  tha se qëllimi i Qeverisë është që sa më shpejt të ringjallet shteti i së drejtës, që nënkupton zgjedhjen e Këshillit Gjyqësor dhe akterëve të tjerë dhe për të cilin, siç tha, nevojitet një konsensus më i gjerë shoqëror.

“Siguria e qytetarëve është më e rëndësishme në çdo vend, ndaj fokusi ynë do të jetë në luftën kundër krimit të organizuar dhe grupeve të lidhura me të që veprojnë në Mal të Zi. Mali i Zi së fundmi mori një dokument SOFTA që përcaktonte se cilët janë armiqtë e vendit tonë në fushën e krimit të organizuar ", deklaroi Abazoviq.

Për këtë qeveri, sipas tij, vazhdimi i autostradës Tivar - Boljare, “krahas gjetjes së mënyrave të favorshme të financimit, ka rëndësi të madhe për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik”.

“Duhet të hetohen nga fundi të gjitha problemet dhe dyshimet e mundshme që shoqëruan këtë projekt infrastrukturor”, tha Abazoviq, duke shtuar se politika ekonomike e qeverisë së 43-të do të përcaktohet nga një shkëmbim i mirë i mendimeve për masat e propozuara me komunitetin e biznesit,  sindikatat dhe OJQ-të, dhe aktorë të interesuar të shoqërisë malazeze.

Më herët i mandatari për kryeministër,  Dritan Abazoviq  propozoi zyrtarisht strukturën dhe përbërjen e Qeverisë.

Qeveria do të ketë 18 ministri, katër nënkryetarë dhe dy ministra pa portofol, siç ishte paralajmëruar më parë.  

Ora 16:30

Zyrtarja e Partisë Popullore Socialiste, Danijela Gjuroviq, u zgjodh kryetare e Parlamentit të Malit të Zi.  45  deputetë votuan për të zgjedhur Gjuroviqin në këtë post.

Danijela Gjuroviq u propozua për kryetare të Kuvendit dhe në zgjedhjen e saj, ligjvënësit votuan me sistemin e fshehtë të hedhjes së votës.

Deputetët  nga ‘DF’ , ‘Bashkimi për Malin e  Zi’ dhe ‘Mali i Zi real’, nuk morën pjesë në seancë e sotme ashtu siç nuk mori pjesë as deputeti i DPS, Dushko Markoviq, raporton RTCG, televizioni publik malazias.

Mbështetja për Danijela Gjuroviq u njoftua nga ligjvenësit  në shumicën e re parlamentare, ndërsa SD ishte kundër saj.  

Pas këtij procesi, tani i është hapur rruga votimit të kabinetit të ri qeveritar me mandatar për kryeministër, Dritan Abazoviqin.

Ora 15:00

Në këtë seancë, pritet të zgjidhet Qeveria e re 43-të me radhë e këtij vendi si edhe kryetari i i ri i Kuvendit.

Pika e parë e rendit të ditës është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi dhe dhe për këtë pozitë është propozuar deputetja e PKSH-së, Danijela Gjuroviq.

Zgjedhja e saj do të vendoset me votim të fshehtë.

Duke sqaruar propozimin për kryetaren e Kuvendit, deputetja e PKSH-së, Millosava Puanoviq, tha se biografia e saj flet më së miri për Danijela Gjuroviq.

Sipas Paunoviqit, Gjuroviq ka 25 vite përvojë pune.

Seanca në Cetinje ka filluar rreth orës 12:25 dhe drejtohet nga nënkryetari i Kuvendit, Ervin Ibrahimoviq. Në fillim të seancës u deklaruan dorëheqjet e deputetëve të FD-së, Strahinja Bulajiq dhe Milo Bozhoviq. (Marrë me shkurtime nga RTMZ)

Ora 13:00 

Mandatari për kryeministër të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, propozoi zyrtarisht strukturën dhe përbërjen e Qeverisë, për të cilën deputetët do të vendosin sot në seancën e Kuvendit që mbahet në Cetinë.

Ai e bëri këtë në baë të Programit të Punës të dorëzuar të Qeverisë së 43-të të Malit të Zi dhe angazhimeve programore. Qeveria do të ketë 18 ministri, katër nënkryetarë dhe dy ministra pa portofol, siç ishte paralajmëruar edhe më parë.

Megjithatë, Fronti Demokratik (FD) paralajmëroi se nuk do të marrë pjesë në seancën e Kuvendit. Kryetari i klubit parlamentar të kësaj aleance politike, Sllaven Radunoviq.

Në konferencë për media, tha se seanca është thirrur në mënyrë të kundërligjshme dhe jolegjitime, raporton Televizioni Publik i Malit të Zi. “Ndër të tjera, përveç këtij fakti, ka edhe një tjetër, e ai është se në të do të zgjidhet një qeveri, që paraqet fundin e vullnetit zgjedhor nga 30 gushti i vitit 2020”, tha Radunoviq.

Në anën tjetër, deputetët e Socialdemokratëve (SD) nuk do të votojnë për zgjedhjen e qeverisë së re të 43-të të Malit të Zi.

Deputeti i kësaj partie, Damir Shehoviq, në konferencë për shtyp tha se propozuesi formal i qeverisë së re është mandatari Dritan Abazoviq, ndërsa në esencë është lideri i Partisë Socialiste popullore Vlladimir Jokoviq.

“Pas një eksperimenti më shumë se të pasuksesshëm, që la pas një prapambetje politike, institucionale, ekonomike dhe qytetëruese në një vit e gjysmë, më së paku që na duhet është një eksperiment i ri politik, i cili do të jetë nën kontrollin e plotë të një partie e cila edhe sot mburret me trashëgiminë politike të Millosheviqit dhe Bullatoviqit," tha Shehoviq.

“Në Mal të Zi, gjëja më e rëndësishme është të sigurohet zhbllokimi i të tri degëve të pushtetit”, tha kryetari i Shoqatës së Avokatëve Branisllav Radulloviq. Ai në Radion e Malit të Zi tha se nëse do të sigurohej mbështetja e 49 deputetëve, atëherë mund të flitet për zhbllokimin e plotë të institucioneve të sistemit.(Përmbledhur me shkurtime nga RTKlive.com)

Ora 12:00/REL

Kuvendi i Malit të Zi pritet të votojë të enjten, 28 prill, Qeverinë e re të pakicës me në krye Dritan Abazoviqin.

Sipas njoftimit të mëhershëm të tij, Qeveria pritet të përbëhet nga Lëviza Qytetare URA, të cilën e udhëheq Abazoviq, Partia Popullore Socialiste, e cila është pro-serbe, Partia Social-Demokrate dhe partitë kombëtare të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve.

Kabineti i ri pritet të ketë 18 ministri dhe katër zëvendëskryeministra.

Abazoviq ka thënë më herët se Qeveria e tij do të ketë mbështetjen e 46 deputetëve, nga 81 sa ka gjithsej Kuvendi i Malit të Zi.

Mbështetje parlamentare për këtë Qeveri ka paralajmëruar edhe Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit malazez, Millo Gjukanoviq, por pa pjesëmarrje në të.

Qeveria e re pritet të zgjidhet gati tre muaj pasi Kuvendi i Malit të Zi ka votuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq.

Qeveria e Krivokapiqit është formuar në dhjetor të vitit 2020 nga një koalicion midis Frontit Demokratik – pro serb – Demokratëve, dhe Lëvizjes URA.

Por dallimet në qëndrime midis partnerëve të koalicionit – disa pro-serbë, disa pro-evropianë – kanë nisur të shpërfaqen shumë shpejt duke ndikuar edhe në vendimmarrje. (Titulli i vendosur nga RTKlive.com)


MË SHUME NGA Lajme