Dështon votimi i Komisionit Hetimor për Energjinë
B.H. / RTKlive.com
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca e ka vendosur në votim propozimin për formimin e Komisionit Hetimor për Energjinë, por ky proces ka dështuar në mungesë të kourumit.
Në fakt, kanë qenë vetëm tre deputetë, përfshirë kryetarin Konjufca, që kanë marrë pjesë në votim dhe që kanë abstenuar, ndonëse në sallë ishin të pranishëm 61 deputetë.
“Ky është rezultati më i çuditshëm që kam marrë ndonjëherë. Kanë votuar vetëm 3 deputetë dhe ata kanë abstenuar. Prandaj, konstatoj se nuk ka pasur kuorum për themelimin e këtij komisioni me këtë përmbajtje”, ka thënë Konjufca.
Pas dështimit të votimit, ai fillimisht ka thënë se seanca do të vazhdojë të premten, në ora 10:00, por pas reagimit të deputetëve ka sqaruar se vazhdimi i seancës do të njoftohet me kohë.
Gjatë tërë seancës së sotme pati debat mes partive në pushtet dhe opozitës rreth formimit të këtij komisioni, derisa para se të hyhej në votim Konjufca kërkoi nga grupet parlamentare që të bëjnë hapa mbrapa dhe të zhbllokojnë situatën.
Megjithatë, një gjë e tillë nuk ndodhi dhe si rrjedhojë Konjufca kërkoi nga grupet parlamentare të propozojnë emrat për përbërjen e komisionit.
Derisa partitë opozitare dhanë emrat e tyre, grupi parlamentar i VV-së dhe grupi multietnik nuk kanë propozuar emra, teksa Lista Serbe nuk ishte e pranishme në salllë.























