Abdixhiku: Zgjedhja e Abazoviqit kryeministër, arritje historike
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka uruar kryeministrin e ri të Malit të Zi, Dritan Abazoviq përmes një komunikimi telefonik.
Abdixhiku në një shkrim në rrjetin social Facebook, tha se zgjedhja e Abazoviqit si kryeministër i Malit të Zi është arritje historike për shqiptarët.
“Zgjedhja e Dritan Abazoviq si Kryeministër i ri i Malit të Zi, përveç se arritje historike për shqiptarët në rajon, është dhe rikonfirmim i stabilitetit rajonal e orientimit properëndimor të vendit tonë fqinj. Në emër timin dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në komunikim telefonik pak çaste më parë, Dritanit i kam uruar zgjedhjen në këtë pozitë të rëndësishme për të e vet Malin e Zi. Uroj që vizioni i tij, dhe i joni bashkërisht, të sjellë progres të përbashkët rajonal e avancim të interesave të dy shteteve në familjen euroatlantike”, shkroi Abdixhiku.
Në seancën e Kuvendit të Malit të Zi, sot u votua Qeveria e pakicës e kryeministrit Dritan Abazoviq, i cili u zgjodh me shumicë votash, kurse kundër ishin vetëm deputetët socialdemokratë.























