VIDEO-Hykolli: Ligji i pagave dhe sigurimet shëndetësore çështje urgjente
A.Bela / RTKlive.com
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), pas disa paralajmërimesh për protesta e greva dje ka vendosur se më datën 12 maj, të mbaj për grevë një orëshe dhe protestë dhe nuk përjashtohen grevën e përgjithshme.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, deklaruar se si organizatë që i mbron të drejtat e punëtorëve për institucionet e Kosovës kanë disa kërkesa të cilat duhet të plotësohen në të ardhmen.
“Ne jemi të hapur për dialog social, janë disa tema që për to kemi filluar dialogun si: Ligji i pagave, sigurimin shëndetësor dhe pse kemi ligjin, por ende nuk kemi fond që të kryhen obligimet, si dhe ligjin për pensionet për vitet e ’90 që i diskriminon shqiptarët”, tha Hykolli sot në emisionin “Aktual”, në RTK.
“Këto kërkesa janë shumë të arsyeshme se nuk janë barrë e rëndë për shtetin”, tha ai.
Kryesindikalisti Hykolli, ka vlerësuar se pagat në Kosovë duhet të lëvizin. “Kërkesat e sindikalistëve janë shumë të arsyeshme, të bëhet sigurimi shëndetësor dhe të bëhet ndryshimi i ligjit për pensione që kërkohet përvoja prej 15 vjetëve”, deklaroi ai.
Një kërkesë tjetër e BSPK-së, është edhe ndihma prej 100 euro shtesë për të gjithë punëtorët në Kosovë. “Kjo mbështetje do të zbus sadopak problemin e rritjes së çmimeve”, tha ai.























