Më 13 maj takim tjetër për targat
E.H
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka konfirmuar se të dy kryengocatorët do të takohen më 13 maj për të gjetur një zgjidhje për targat.
Lajçak në një postim në Twitter shkruan se pas konsultimeve me të dy kryenegociatorët, janë pajtuar të vazhdojnë diskutimet për të gjetur një marrëveshje të përhershme për targat.
"Më vjen mirë të njoftoj se pas konsultimeve të mia me dy kryenegociatorët dje dhe sot, ne ramë dakord të vazhdojmë diskutimet tona për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për çështjen e targave në Bruksel më 13 maj", ka shkruar Lajçak.

Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur marrëveshjen për targat e automjeteve, më 21 prill, përkundër skadimit të afatit kohor të përcaktuar në ujdinë e arritur me 30 shtator kur me rastin e futjes së masave të reciprocitetit u ashpërsuan rrethanat në veri të Kosovës.
Pas ujdisë së 30 shtatorit, për automjetet që hyjnë nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas, aplikohet i ashtuquajturi regjim i letrave ngjitëse si zgjidhje kalimtare deri në gjetjen e solucionit përfundimtar.























