Osmani takoi kongresistët amerikanë të grupit për çështje shqiptare
BKT
Lajme

Osmani takoi kongresistët amerikanë të grupit për çështje shqiptare

Presidentja Vjosa Osmani është pritur sot në takime të ndara nga bashkudhëheqësit e grupit për çështje shqiptare, kongresistët Jim Himes dhe Ritchie Torres, si dhe nga anëtari i grupit, kongresisti Robert Aderholt.

Gjatë takimit me kongresistët Jim Himes dhe Ritchie Torres, presidentja Osmani i falënderoi dy bashkudhëheqësit e Grupit për çështje shqiptare në Kongres, për angazhimin e jashtëzakonshëm në përkrahje të Kosovës.

Osmani shprehu vlerësimin për të gjitha nismat e ndërmarra në Kongres dhe në raport me administratën amerikane nga kongresistët në mbështetje të Kosovës, përfshirë iniciativën për të përkrahur anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe organizata të tjera ndërkombëtare, njofton Presidenca.

Bashkëbiseduesit u dakorduan që të vazhdojnë bashkëpunimin e afërt, si dhe me anëtarë të tjerë të Kongresit drejt avancimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve speciale me SHBA-të.

Në takim me kongresistin Robert Aderholt, Osmani e njoftoi për punën e institucioneve të Kosovës dhe për reformat që po ndërmerren si dhe për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon. Presidentja potencoi se roli i NATO-s në Kosovë është tejet i rëndësishëm në ruajtjen e paqes dhe sigurisë.

Osmani dhe kongresisti Aderholt po ashtu diskutuan për rëndësinë e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe SHBA-ve në fushën e mbrojtjes, ekonomisë si dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.


MË SHUME NGA Lajme