Deputetja Statovci: Themelimi i Komisionit, kauzë politike e opozitës
BKT
Lajme

Deputetja Statovci: Themelimi i Komisionit, kauzë politike e opozitës

N.M. /RTKlive

Kryesia e Kuvendit, në mungesë të opozitës, dje vendosi që seanca e radhës të mbahet më 5 maj, por dihet se opozita nuk mori pjesë në këtë mbledhje. Shefja e grupit parlamentar nga Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila, tha se opozitarët po e bllokojnë vetë këtë proces.

Lidhur me këtë çështje, deputetja e Listës Guxo Jeta Statovci, në “Lajmet e fundit”, në RTK, tha se të premten u mbajt mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, pasi për këtë ka pas kuorum edhe pse kanë munguar përfaqësuesit e grupeve parlamentare të opozitës dhe seanca e radhës është caktuar të mbahet më 5 maj.

Sipas saj ekziston vullneti i shumicës për formimin e këtij komisioni, por debati i bërë deri më tani më shumë ka të bëjë me dispozitat ligjore që mundësojnë themelimin e këtij Komisioni Hetimor.

Statovci thotë se themelimi i Komisionit Hetimor për Energjinë, nga opozita, është bërë kauzë politike, kauzë e bllokimit politik. Ajo kërkon që opozita të lëshojë pe, në mënyrë që të kërkohet mundësa për një zgjidhje të kësaj çështje.

Sa i përket propozimit të njërës nga partitë opozitare, PDK-së, për tërheqjen e 30 për qind të kursimeve nga Trusti Pensional, Statovci tha se ajo si anëtare e Komisionit për buxhet, ku për raportim, merr pjesë edhe Bordi i Trustit, janë shprehur kundër një ideje të tillë.

“Kemi marr edhe vendimin e qeverisë, kemi edhe qëndrimin e FMN-së, Odës Ekonomike Amerikane, që gjithashtu është kundër kësaj iniciative. Të gjitha këto cilat qëndrojnë në një vijë me argumentet e tyre, kundër tërheqjes së mjeteve nga Trusti Pensional", tha deputetja Statovci.


MË SHUME NGA Lajme