Teatri i Gjilanit triumfon në Poloni
Shqipe Gashi RTKlive.com
Shfaqja “a.y.l.a.n” e Teatrit të Gjilanit ka marrë çmimin kryesor në festivalin ndërkombëtar “Kontrapunkt 56” në Szczecin të Polonisë.
Jo vetëm në muzikë, film apo sport. Edhe teatri kosovar, pavarësisht kushteve të vështira, falë vullnetit dhe dëshirës së artistëve, po tejkalon kufijtë e shtetit. Një sukses i fundit në këtë fushë e dëshmon këtë.
Drejtori i Teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi tha për RTKlive.com, se është jashtëzakonisht i lumtur me atë që kanë arritur me Teatrin e Gjilanit në Festivalin “Kontrapunkt 56”. ”Të fitosh çmimin ”Grand Jury Prize” të Polonisë në këto kohëra të vështira sidomos për teatrot rajonale dhe për prezantimin jashtë vendit të punëve të teatrove tona, të bënë të ndihesh jashzakonisht mirë”, tha Zymberi për RTKLive.com. Ai tha se prodhimi me shumë mund, vështirësi buxhetore, kushte të mjerueshme infrastrukturore e burokraci deri në realizimin e një shfaqjeje, shpërblehet vetëm në këtë formë sikurse ndodhi me shfaqjen “a.y.l.a.n” nga Jeton Neziraj dhe regji të Blerta Nezirajt që u kthye me çmimin e madh të jurisë "Grand Prize" të Polonisë. “Dhe për këtë jam shumë i lumtur”.

Kurse aktori i shfaqjes Kushtrim Qerimi, tha për RTKLive.com se çmimi ka qenë i pritur, meqë pas përfundimit të shfaqjes, kanë parë reagimet e publikut. “Sigurisht ndjenjë e jashtëzakonshme ta fitosh këtë çmim kur ke parasyshë që ndodh në një shtet me traditë shekullore të teatrit”, tha Qerimi, duke shtuar se kjo ndodhi në festivalin më të rëndësishëm dhe më të vjetër në gjithë Poloninë.
























