Ramosaj kundërshton kthimin e pronave komunale AKP-së
A.B / RTKlive.com
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka kundërshtuar vendimin e qeverisë për kthimin e pronave te Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), të cilat iu ishin dhënë komunave: Gjilan, Ferizaj, Suharekë, Skenderaj, Deçan, Junik dhe Hani i Elezit.
'Ndër vendimet më të mira që janë marr ndonjëherë për komunat, është vendimi i qeverisë Haradinaj, për dhënien e pronave komunave, të cilat prona administroheshin nga APK.Vendimi në fjalë i 2019, nxjerrur nga qeveria Haradinaj në atë kohë, konkretisht nga kryeministri Ramush Haradinaj, i ka lehtësuar komunat që nuk kanë prona komunale, duke krijuar një standard të ri të zhvillimit ekonomik dhe mundësinë e realizimit të interesit publik të shprehur nga komunat, në këtë rast nga Komuna e Deçanit" ka shkruar Ramosaj në "Facebook".
Ndryshe Qeveria me një vendim të miratuar në mbledhjen e sotme ka shfuqizuar vendimet për tërheqjen nga procesi i privatizimit dhe kthimin e pronave të administruara nga AKP te komunat: Gjilan, Ferizaj, Suharekë, Skenderaj, Deçan, Junik dhe Hani i Elezit. Bazuar në kërkesat për tërheqjen nga procesi i privatizimit dhe kthimin e pronave të administruara nga AKP te komunat, Qeveria e Republikës së Kosovës me datën 6 korrik 2018 ka miratuar këto vendime: Vendimi Nr.05/55 i Komunës së Gjilanit, Vendimi Nr. 06/55 i Komunës së Ferizajt, Vendimi Nr. 07/55 i Komunës së Suharekës, Vendimi Nr. 08/55 i Komunës së Skenderajt, Vendimi Nr. 09/55 i Komunës së Deçanit, Vendimi Nr. 10/55 i Komunës së Junikut, dhe Vendimi Nr. 11/55 i Komunës së Hanit të Elezit. Këto vendime nuk kanë mundur të zbatohen, dhe në vitin 2021 kanë pësuar ndryshimet ligjore, përkatësisht Ligji Nr.06/L-092 ka shfuqizuar Ligjin Nr.04/L-144 për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës. Shfuqizimi i vendimeve të lartcekura bëhet në përputhje me nenin 57 të Ligjit Nr.05/L-031 Procedurën e Përgjithshme Administrative.























