Dita e 1 Majit, Gërmia sot kishte më pak vizitorë sesa viteve të kaluara
BKT
Lajme

Dita e 1 Majit, Gërmia sot kishte më pak vizitorë sesa viteve të kaluara

Për dallim nga vitet e kaluara, Parku Nacional Gërmia ishte shumë pak i vizituar.

Gërmia për festën e 1 Majit ishte e heshtur, pa vizitorë nga qytetet e tjera që zgjidhnin ta kalonin këtë ditë si çdo vit tjetër.

Disa qytetarë kanë thënë që arsyeja pse mungon atmosfera në këtë park, është edhe emigrimi e papunësia.

Qytetari Selman Pajaziti ka thënë për KosovaPress se edhe bukuria e parkut nuk duket pa qytetarë, ndërsa ka thënë që faktor i gjithë kësaj janë edhe kushtet e renda.

“Kam dalë po s’paska (qytetarë), zmbrapsur qenka Gërmia, po më vjen interesant se çfarë është bërë. Jemi mësuar si vitet e kaluara, ndërsa këtë vit shumë keq... Është bërë vështirë të ardhura, për rini s’ka të ardhura askund”, tha ai.

Po ashtu edhe Idriz Mehtolli shprehet i çuditur me numrin e vogël të qytetarëve që kanë frekuentuar sot parkun Gërmia.

Mehtolli: Nuk paska kallaballëk qysh e mbaj mend unë

Ndërsa, Xhemshir Deliu ka thënë që nuk ka vizitor pasi që shumica kanë emigruar sepse nuk ka kushte të mira këtu.

“Gërmia ka ndryshuar shumë, shkaku i kushteve. Edhe njerëzit të papunë, rinia po ikin prej këtu”, tha ai.

Qytetari tjetër, Ali Aliu është shprehur po ashtu i habitur nga parku bosh.

“Edhe unë kur zbrita pritsha që të jetë plot, si çdo vit. U habita që është bosh”, tha ai.

Ndryshe gjatë ditës në kryeqytet janë mbajtur dy protesta, si ajo e Federatës Sindikale e Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës dhe e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist nga Blloku AntiKapitalist./KP


MË SHUME NGA Lajme