Premiera e shfaqjes “Burrnesha” më 10 maj
Kulturë

Premiera e shfaqjes “Burrnesha” më 10 maj

Më datë 10 maj, nga ora 20:00, Qendra Multimedia sjell në Teatrin Oda në Prishtinë, premierën e re të shfaqjes “Burrnesha”, me regji të Erson Zymberit.

“Burrnesha” trajton fenomenin e burrneshave, nën dritën edhe të debatit të tanishëm mbi çështje gjinore, si dhe adreson konceptin e lirisë, respektivisht mos-lirisë në shoqëritë me vlera, koncepte e konstrukte të ndryshme shoqërore.

Në shfaqjen “Burrnesha”, antropologia angleze Edith, pas vizitës në veriun e Shqipërisë, takohet me Sose-n, njërën nga pak burrneshat e mbetura shqiptare. Të dyja, pastaj udhëtojnë në Londër, në një seri të prezantimeve publike në London University.

Gjatë kësaj vizite, Sose bëhet pjesë e një queer performance që është duke u përgatitur nga Julian, që është një drag-queen e njohur e Londrës. Për Sose,-n takimi me një kulturë kaq të huaj bëhet çështje ekzistenciale.

Reprizat e radhës janë paraparë për datat 11 dhe 12 maj, po në teatrin Oda në Prishtinë.

Ky është produksioni i parë në gjuhën shqipe i kësaj drame. Më herët ajo është vënë në skenë në gjermanisht, në Zvicër, si një bashkëprodhim i Forever productions, Schlachthaus Theater Bern, Theater Winkelwiese Zürich, Kleintheater Luzern dhe Kellertheater Winterthur.

Në shfaqje luajnë aktorët Tringa Hasani, Semira Latifi dhe Kushtrim Qerimi.