Hapet ekspozita e piktorit Nusret Salihamixhiqi
Foto: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit/Facebook
Kulturë

Hapet ekspozita e piktorit Nusret Salihamixhiqi

Kimete Kasumi/RTKLive

Një koleksion me mbi 50 piktura të artistit dhe pedagogut Nusret Salihamixhiqi po prezantohen në Galerinë e Ministrisë së Kulturës.

"Ekspozita “Loja” e kuruar nga Jakup Ferri u hap mbrëmë ndërsa sjell punën shumë vjeçare të pionerit të artit modern të Kosovës në etapa të ndryshme të jetës, veprimtarinë e tij që ka lënë gjurmë e trashëgimi në fushën e artit", thuhet në një njoftim të MKRS-së në Facebook.
 
Në këtë ngjarje morën pjesë personalitete të shumta të jetës politike e kulturore, ndër ta Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Mefail Bajqinovci, akademik Rexhep Ferri, familjarë të artistit Salihamixhiqi, drejtuesja e projektit, Dhurata Ramosaj-Shala dhe personalitete tjera nga jeta publike.
 
Piktori Salihamixhiqi ishte një artist i veçantë dhe i guximshëm që me veprat e tij ka kontribuar shumë në artin pamor të Kosovës.
 
Ekspozitën “Loja” mund ta vizitoni deri më 26 korrik 2022 në Galerinë e Ministrisë së Kulturës.