Hapet afati për aplikim, për mbështetje prej 100 euro për studentë
Fatos Cervadiku- RTK
Është hapur afati për aplikim, për mbështetje prej 100 euro për studentë. Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Financave. Studentët e mirëpresin këtë ndihmë, derisa thonë se është e nevojshme që të ketë mbështetje të vazhdueshme për ta.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar studentët se ka hapur formën e aplikimit për mbështetje për studentët e niveleve Bachelor, Master e Doktoraturë. Në njoftim thuhet se aplikimi është i hapur për të gjithë studentët aktivë dhe të rregullt, të cilët ndjekin studimet në ndonjërin prej institucioneve të akredituara publike ose private të arsimit të lartë në Kosovë.
Studentët e mirëpritën këtë, por po kërkojnë mbështetje të vazhdueshme për ta.
“Po besoj që është një ndihmë e mirë nëse marrim parasysh se me një familje kemi për shembull dy studenta, po mendoj është një ndihmesë e mirë si fillim, ndoshta për një muaj mjaftojnë, për më shumë nuk po e di, po në përgjithësi, sidomos studentët gjithmonë kemi nevojë për ndihma prej llojeve më të ndryshme”, thotë Fortesa Basha, studente e psikologjisë në UP.
“Po e kem pa që është hapë afati. Sot ish hapë afati edhe është ndihmesë e mirë edhe pse me ni valutë shumë, me një çmim shumë të ulët, studentët kanë ma shumë shpenzime, në këto kohë tash edhe ish kanë mirë për shembull të shpeshtohen këto shtesa dhe ndihmesa për student”, thotë Granit Kastrati, student I Fakultetit Teknik në UP.
“Edhe për neve studentëve që nuk jemi shtetas të Kosovës, është shumë e mirëseardhur, pse jo me apliku, me marrë si ndihmë, sadopak, pse jo., me shfrytezu. Besoj qe për secilin student që është nga Bujanoci, Presheva është shumë e mirëseardhur”, thotë Vesë Mustafi, studente e psikologjisë në Fakultetin Filozofik.























