Kosova aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në KE (E plotësuar)
Foto: CeO
Lajme

Kosova aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në KE (E plotësuar)

Gjeraqina Tuhina/RTK/Bruksel

RTK e ka konfirmuar se tashmë dosjen për aplikim e ka dorëzuar zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika  Gërvalla.

Selia e kësaj organizate evropiane ndodhet në Strasburg të Francës.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Është themeluar më 1949.

Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Kjo organizatë ka realizuar edhe fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë.

Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin si dhe që të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.

Grupi i saj i ekspertëve për kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë.

Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.

Dy trupat kyçë të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.

Ora 11:15

Kosova aplikon për anëtarësim në KE, vendos Qeveria. Qeveria merr vendim për aplikim në Këshillin e Evropës.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar në parim nismën për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.

Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër ndërqeveritare në Evropë që për qëllim kryesor ka sigurimin e bashkëpunimit dhe unitetit ndërmjet anëtarëve të saj në lëmine e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

“Të drejtat e njeriut dhe liritë elementare janë të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila ka ngërthyer në vete edhe konventat e Këshillit të Evropës, duke përfshirë Deklaratën e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut dhe Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Elementare dhe Protokollet e saj”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Vendimi i miratuar sot obligon Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës që të zhvillojë të gjitha procedurat për anëtarësim në bazë të legjislacionit në fuqi.

Ora 10:52

Meqë vendimet në këtë organizatë merren me votë shumicë, janë reale gjasat për anëtarësim. Votimi për pranimin e Kosovës nuk do zhvillohet para pranverës së vitit 2023.

Kosova sot formalisht aplikon  për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Në selinë e kësaj organizate në Strazburg, aplikimin në emër të vendit, do e bëjë ministrja e Punëve të Jashtme  dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e cila është edhe zëvendëskryeministre e Kosovës.

RTK ka kuptuar se aplikimi për anëtarësim dorëzohet në orën 10.30 të ditës së sotme.

Prishtina zyrtare nuk e ka konfirmuar zyrtarisht qëllimin se do aplikojë, por kjo u bë e ditur joformalisht pas darkës të cilën shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borell, e organizoi me liderët e Ballkanit perëndimor, ku vendin e përfaqësoi ministrja Gërvalla.

Se Kosova do aplikojë për anëtarësim, këtë e bëri të ditur i pari, presidenti  i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili pas darkës të së mërkurës, u deklaroi gazetarëve se Gërvalla i ka njoftuar të pranishmit se të enjten (sot), do ta dorëzojë aplikacionin.

Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër evropiane. Kjo organizatë nuk ka lidhje më institucionet e Bashkimit Evropian. Sido që të jetë, shtetet qëa aspirojnë integrimet evropiane, duhet fillimisht të anëtarësohen në këtë organizatë në mënyrë që të vazhdojnë tutje rrugëtimin evropian.

Ka gjithashtu shtete anëtare të KE të cilat nuk kanë aspirata e as gjasa që të bëhen anëtare të BE-së.

Këshilli i Evropës numëron 46 anëtarë. Deri rishtazi edhe Rusia ishte pjesë e kësaj organizate, por u tërhoq duke evituar përjashtimin i cili ishte i pashmangshëm, pas sulmit të saj mbi Ukrainë.

Statusi i organizatës parasheh edhe mundësinë e përjashtimit të shteteve, apo tërheqjes së tyre nëse ato nuk respektojnë vlerat bazë të organizatës, demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.

Jugosllavia në kohën e Sllobodan Millosheviqit ishte përjashtuar gjithashtu për shkak të luftërave që zhvilloheshin në territorin e shtetit të atëhershëm. Secili shtet i ish Jugosllavisë më vonë u anëtarësua si i pavarur në këtë organizatë.

Janë dy kritere kryesore për anëtarësim në Këshill të Evropës: kriteri gjeografik, që nënkupton që shteti në fjalë duhet t’i përket kontinentit evropian, si dhe kriteri politik që nënkupton që shteti anëtar apo aspirant duhet të pranojë vlerat demokratike.

Mundësia që Kosova të pranohet në organizatë u hap me rastin  e largimit të Rusisë nga KE. Pa Rusinë anëtare, dy të tretat e shteteve që bëjnë pjesë në KE janë vendet të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Meqë vendimet në këtë organizatë merren me votë shumicë, janë reale gjasat për anëtarësim.

Votimi për pranimin e Kosovës nuk do zhvillohet para pranverës së vitit 2023.