BE në dijeni të aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës
Lajme

BE në dijeni të aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Gjeraqina Tuhina/RTK/Bruksel

Bashkimi Evropian është në dijeni se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por BE nuk i komenton proceset që janë të lidhura me organizatat tjera, është shprehur zëdhënësi Peter Stano në një përgjigje me shkrim duke reaguar ndaj vendimit të Prishtinës zyrtare që të nisë rrugetimin për anëtarësim në organizatën më të vjetër në Evropë.

“Ne nuk komentojmë procese të mundshme që kanë të bëjnë me një institucion tjetër e sidomos jo aty ku BE nuk është anëtare”, është shprehur Stano.

Për Bashkimin Evropian, dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë ka rëndësi të veçantë andaj edhe zëdhënësi i këtij institucioni apelon tek palët që të bëjnë maksimumin e tyre për të ecur përpara në këtë process.

“Gjithashtu u bëjmë thirrje atyre që të veprojnë me maturi dhe të përmbahen nga çdo retorikë apo veprim që mund të çojë në tensione. Ne presim që të dyja palët të veprojnë me përgjegjësi dhe të kontribuojnë në një atmosferë të favorshme për normalizimin e marrëdhënieve të tyre ”, porositi Peter Stano, zëdhënës i BE-së.