Një libër që zbulon `historinë` e një poeme të A. Podrimjes
Kulturë

Një libër që zbulon `historinë` e një poeme të A. Podrimjes

Arben Veselaj/ Radio Kosova

Në 80-vjetorin e lindjes dhe në 10-vjetorin e shkuarjes në amshim të poetit Ali Podrimja, Instituti Albanologjik i Prishtinës (IAP) e ka botuar monografinë studimore “Dritëhijet e poemës së Ali Podrimjes për Kosovën”, nga studiuesi dhe kritiku letrar, Sali Bytyçi. Në këtë studim autori Butyçi përpiqet të hedh dritë në atë se çfarë në të vërtetë ndodhi me mosbotimin e poemës për Kosovën të Ali Podrimjes në dy vëllimet e para dhe me ripunimin e saj rrënjësor në vëllimin e tretë.

Bytyçi librin e ka ndarë në katër pjesë: Në pjesën e parë gjerësisht është trajtuar procesi letrar i poetit Ali Podrimja - në fazën e parë të krijimtarisë së tij, kryesisht sa i përket poemës për Kosovën; në pjesën e dytë ai ka trajtuar tri versionet e poemës; në të tretën, në mënyrë integrale, na jep tri versionet e poemës, ndërsa në të fundit, studiuesi Bytyçi sjell deklaratën e Ali Podrimjes të vitit 1966, si dhe deklaratën e Shefki Osekut për Podrimjen.

Ky studim krahasimtar, i rrallë në studimet letrare shqiptare, për herë të parë na shfaq fytyrën e panjohur të “historisë” së njërës prej poemave më të rëndësishme Ali Podrimjes, në të cilinën gjendet vargu emblematik “Kosova është gjaku im që nuk falet”, respektivisht “Metohija është gjaku im që nuk falet”. Sipas recensentes së këtij libri, Jolanda Lila, vargu “Metohija është gjaku im që nuk falet”, identifikon jo vetëm krijimtarinë e Ali Podrimjes si autor, por ai mbetet lajtmotivi shënjues i historisë së Kosovës nën dhunën dhe censurën nacionaliste serbe.

“Ai përçon gjithë forcën tragjiko-historike të zgafelleve më të thella të vetëdijes kombëtare, përçon idealin e sakrificës sublime të shqiptarëve në emër të atdheut dhe të lirisë”, ka shkruar recensentja Lila.

“Për ndriçimin e fatit të kësaj poeme ia vlen të bëhet një studim sepse, duke u marrë me të, kthehemi te fillimet e letërsisë shqipe në ish-Jugosllavi, te sfidat që pati kjo letërsi në përballje me censurën shtetërore, si dhe mësojmë edhe për fatin e krijuesit shqiptar në ish-Jugosllavi”, ka shkruar në parathënien e këtij studimi monografik studiuesi dhe kritiku Sali Bytyçi.

Dr. Sali Bytyçi në letërsinë e sotme shquhet si kritik letrar dhe studiues i letërsisë, por edhe poet e eseist. A ka botuar deri më tani disa vepra nga fusha e kritikës letrare dhe e studimeve të letërsisë: “Labirinteve të tekstit letrar” (kritika dhe recensione, 2003; “In medias res” recensione, 2007; “Simbolet florike dhe zoomorfike në poezinë e sotme shqipe”, monografi, botim i Institutit Albanologjik të Prishtinës, 2007; “Fjalë prej guri” (Vepra letrare e Azem Shkrelit, Instituti Albanologjik, 2010; “Prej pseudoteorive deri te plagjiatura”, Instituti Albanologjik, 2011; “Shkrime kritike për letërsinë” (studime, kritika dhe recensione), Instituti Albanologjik, 2011), ndërsa disa njësi poetike të tij janë përkthyer dhe botuar në gjuhën angleze në SHBA, në vitin 2013, me titull “What’s Left of the Dream”, në vitin 2022  në Francë “Antologji poetike“ në dy gjuhë - shqip dhe frëngjisht etj.