DASH: Kosova shtet sovran, i zgjedh vetë prioritetet e politikës së jashtme
Lajme

DASH: Kosova shtet sovran, i zgjedh vetë prioritetet e politikës së jashtme

Blerim Halimi / RTKlive

“Kosova dhe Serbia janë shtete sovrane, të cilat kanë të drejtë të zgjedhin vetë prioritetet e tyre për politikë të jashtme”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Kosova, me paraqitjen e kërkesës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, e ka shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit.

Në fakt, në shtator të vitit 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e njohur si Marrëveshja e Uashingtonit. Kjo marrëveshje ishte arritur në Shtëpinë e Bardhë në praninë e presidentit të atëhershëm Donald Trump, e të cilën e kishin nënshkruar kryeministri i atëhershëm Abdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Nëpërmjet kësaj marrëveshje, Kosova ishte pajtuar për një moratorium njëvjeçar mbi përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, derisa Serbia kishte rënë dakord për një moratorium po ashtu njëvjeçar rreth fushatës së saj për çnjohjen e Kosovës si shtet.

Si pjesë e marrëveshjes ishte edhe njohja e Kosovës si shtet nga ana e Izraelit dhe hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

“Moratoriumi ka pasur synim të rrisë hapësirën për bisedime dhe kompromis mes Kosovës dhe Serbisë, çka ne besojmë se përbën interes strategjik për të dyja shtetet”, ka thënë Departamenti amerikan i Shtetit në përgjigjen për Zërin e Amerikës.

“Ne vazhdojmë të besojmë se dialogu për normalizim të marrëdhënieve, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, është kyç për të dyja shtetet, në mënyrë që t’i hapin rrugë të ardhmes evropiane. Ne bëjmë thirrje për pjesëmarrje urgjente, fleksibile dhe serioze në këtë proces”, ka thënë tutje Departamenti amerikan i Shtetit.

Në shtator të vitit të kaluar, në prag të përvjetorit të Marrëveshjes së Uashingtonit, Departamenti i Shtetit inkurajoi drejtpërdrejt Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë të mbajnë një moratorium për çështjet që ndërlikojnë përparimin në fushat teknike.

Pasi zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, ka dorëzuar kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj, presidenti Vuçiq u ka thënë gazetarëve në Beograd se Prishtina “ka shkelur brutalisht” Marrëveshjen e Uashingtonit.

“Pas gati dhjetë vjetëve të shkeljes së Marrëveshjes së Brukselit, ata kanë shkelur edhe Marrëveshjen e Uashingtonit, derisa rezoluta 1244 nuk është respektuar kurrë nga udhëheqësit e tyre”, ka thënë Vuçiq.

Marrëveshja e Uashingtonit është nënshkruar pas dy ditësh bisedime ndërmjet përfaqësuesve më të lartë të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në kryeqytetin amerikan më 4 shtator 2020, gjatë administrimit të Presidentit Donald Trump. Marrëveshja u ndërmjetësua nga i dërguari i Trump për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Richard Grenell, i cili u fokusua në bashkëpunimin ekonomik mes dy palëve, i bindur se përmirësimi i situatës ekonomike dhe standardit të jetesës do të lehtësojë zgjidhjet e mëvonshme politike.

Administrata e Biden ka pranuar obligimet nga Marrëveshja e Uashingtonit, të cilën e ka konfirmuar disa herë vitin e kaluar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Cosnet.