‘Eskadronët e vdekjes-kronikë mbi kasaphanën’ e krimeve serbe
Foto: RTK
Kulturë

‘Eskadronët e vdekjes-kronikë mbi kasaphanën’ e krimeve serbe

Emine Hoti/RTKlive

Shkrimtari Agim Vinca ka thënë se libri “Eskadronët e vdekjes-kronikë e një kasaphane” sjellë në dritë eskadronët e vdekjes, të cilët sipas tij, ishin ushtria dhe policia e Serbisë, që kryen krime të tmerrshme ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, të hënën në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Prishtinë, ka bërë promovimin e romanit “Eskadronët e vdekjes - kronikë e një kasaphane” i autorit Bardhyl Mahmuti. Ky libër bazohet në ngjarje të vërteta të gjenocidit serb të ushtruar ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Libri i Bardhyl Mahmutit “Eskadronët e vdekjes” u vlerësua lart nga folësit e këtij tubimi: Agim Vinca, Adem Gashi, Adnan Asllani dhe Majlinda Sinani.

Ndërkaq autori i romanit, Bardhyl Mahmuti theksoi se ky libër është shkruar përmes rrëfimeve të personazheve që sot janë gjallë.

Ndër të tjera, autori i librit shtoi se nuk duhet të harrohet kurrë plaga e hapur e luftës. “Duhet të mobilizojmë tërë potencialin intelektual… Në të kundërtën, gjaku i derdhur në Kosovë nuk do të na lë të qetë”, tha ai.

Mahmuti foli edhe për zhvillimet rreth Gjykatës Speciale. “Në vend se Serbia të jetë nën akuzë për gjenocid, shokët tanë janë në Hagë”, tha ai.

Ndërsa, shkrimtari Agim Vinca ka thënë se libri “Eskadronët e vdekjes-kronikë e një kasaphane” sjellë në dritë eskadronët e vdekjes, të cilët ishin ushtria dhe policia e Serbisë, të cilët kryen krime të tmerrshme ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Duke folur për librin në fjalë Vinca theksoi: “Romani bëhet nga nëntë pjesë, secila nga këto ka numër të caktuar kapitujsh, që i ndihmojnë lexuesit”.

Krejt në fund profesor Vinca vlerësoi lart veprimtarinë e autorit Bardhyl Mahmut, i cili ka dhënë kontribut të madh për Kosovën dhe pavarësinë e saj.

Kurse, shkrimtari Adem Gashi tha se romani i Mahmutit, në aspektin rrëfimor habit për të mirë me rrjedhshmëri dhe spontanitet, me kulturë dhe me gjetje të figurshme e krahasime nga më të rrallat.

 “Ai zotëron fenomenin që ne e quajmë fytyrëzim gjuhe. Nga grimasa e deri te semantika e shqiptimit të fjalës e zbulojmë karakterin e personazhit. Eskadronët përbëhen nga nëntë pjesë thotë Bardhyli, po unë them nga nëntë kapituj”, tha Gashi.

Edhe Majlinda Sinani-Lulaj,tha se në romanin e Bardhylit shumë persona mund të gjejnë veten.

Një prezantim i tillë, në prani të autorit, do të mbahet edhe në Shkup, ditën e mërkurë, më 18 maj 2022, në orën 11:00, në mjediset e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa