VIDEO-Fati i stafit mbështetës të pandemisë
Foto RTK
Lajme

VIDEO-Fati i stafit mbështetës të pandemisë

Venera Adili-Xhoxhaj/ RTKlive

Mbi 1 mijë profesionistë shëndetësorë që u angazhuan gjatë kohës së pandemisë në klinikat e QKUK-së përfundojnë kontratat e punës në fillim të muajit qershor. Pavarësisht nevojës për angazhimin e tyre nëpër institucionet shëndetësore edhe tash që gjendja me pandeminë është më e qetë, Ministria e Shëndetësisë do të bazohet në kufizimet buxhetore për mundësinë e vazhdimit të kontratave. Madje atyre u janë vonuar edhe pagesat për muajt e fundit.

Në kohën kur bëhej thirrje për kujdes ndaj kontaktit me persona të infektuar me Covid-19, qindra profesionistë shëndetësorë vendosën të futen pikërisht në këto ambiente që konsideroheshin të rrezikshme për jetë.

Ani se nuk ishin punëtorë të klinikave më herët, ata ndihmuan kolegët mantelbardhë e qytetarët kur ishte shumë e vështirë. Por ky është muaji i fundit i angazhimit të stafit mbështetës pasi u kalon periudha e përcaktuar e kontratës..

Enlirat Duraku nga Sindikata e infermierëve tha për RTK se kanë nevojë për punë. “Sistemi shëndetësorë ka nevojë për ta dhe qytetarët kanë nevojë për shërbime. Janë infermierë që na e mundësuan që të gjithë krerët shtetërorë së bashku me ne të krenohemi për menaxhimin e mirë të pandemisë”, tha i.

Përtej kësaj, e pavarësisht angazhimit të barabartë me profesionistët me kontrata të rregullta, ata kanë qenë të përjashtuar nga pakot mbështetëse dhe përftimet tjera.

Për këtë shkak sindikata e infermierëve po kërkon nga institucionet që të bëhet zgjidhje. “Nuk e kemi luksin të bëjmë takime me foto, gjendja është e vështirë”, tha Enlirat Duraku nga Sindikata e infermierëve

Por Ministria e Shëndetësisë do të bazohet në mundësitë buxhetore për vazhdimin e kontratave. “Sigurisht se do ta bëjmë më të mirën në bazë të nevojave dhe në bazë të kufizimeve buxhetore për angazhimin e tyre të mëtutjeshëm”, tha Dafina Gexha, Zëvendësministre e Shëndetësisë.

Ndërkaq drejtori i SHSKUK-së Valbon Krasniqi, ka thënë se kanë paraqitur kërkesat duke i arsyetuar me nevojat objektive që kanë por theksoi se kjo mbetet në vendimmarrje të ministrisë së shëndetësisë.

 


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa