Rruga e mbijetesës
Foto: Emisioni KRITER /RTK
Lajme

Rruga e mbijetesës

Valbona Tahiri / RTK

Nxënësve të verbër u duhen asistentë dhe literaturë e përshtatshme.

Shkolla “Xheladin Deda” në Pejë tani e 40 vite ofron shërbime edukative-arsimore për personat e verbër dhe me të pamë të dobësuar. Por kushtet që ofrohen si në klasë  edhe në konvikte lënë për të dëshiruar.

Mësimi me këtë kategori të shoqërisë zhvillohet në formën individuale pasi kërkesat e tyre janë specifike, andaj mësimdhënësit kërkojnë angazhimin e asistentëve brenda klasës.

Mësuesja Ilirjana Shehu tregon se për fëmijët në arsimin fillor nga klasa e parë deri në të pestën në këtë qendër mungojnë asistentët, e cila gjë e vështirëson zhvillimin normal të mësimit, pasi mësimi është individual sepse fëmijët përveç kufizimeve në shikim mund të kenë edhe kufizime të tjera.

 “Ne më së shumti na nevojiten asistentë, në klasën time duhet një asistent sepse janë shumë kërkues nxënësit dhe donë vëmendje”, thotë ajo. “Njëri nxënës vjen nga Drenasi ai tashmë është pavarësuar që të lëviz brenda klasës dhe në korridoret e shkollës po tjetri i cili vjen nga Kamenica i cili edhe banon ën konviktin e shkollës ka nevojë për një asistentë sepse ende nuk është pavarësuar,” thotë ajo për RTK-në.

Derisa për fëmijët në arsimin fillor nga klasa e parë deri në të pestën, punojnë me kurrikulë të mësimit të përgjithshëm arsimor.

Tekstet shkollore nga Ministria e Arsimit iu dërgohen tekste të shkruara në alfabetin e gjuhës shqipe, dhe mungesa e teksteve në alfabetin Braj, shpesh herë e vështirëson zhvillimin e mësimit dhe orëve mësimore në lëndë të caktuara.

Fëmijët dhe nxënësit me të dëmtuar në shikim dhe të verbër, që të kenë më të lehtë zhvillimin e procesit mësimor dhe të mos kenë probleme me tekstet shkollore, brena objektit të Qendrës Burimore në klasa të ndara janë të vendosura printer për realizimin teksteve me shkronja të zmadhuara, dhe përballë saj është e vendosur makina për printimin e teksteve në alfabetin Braj.

“Unë për momentin jam duke e punuar librin e matematikës së klasës së tetë, nga program word e kam përkthyer në shkrimin e Braj, këtu na punën e bëjmë punë serike, e korrigjojmë, shtypet libri pastaj e korrigjojmë, libri del 3 herë i korrigjua, pak vonohen librat se programi vonohet nga Ministra… ” deklaron Lutfije Kastrati , menaxhere e njësisë së shtypit.

Me shkollimin e mesëm të ulët për shumicën e personave me të pamur të dobësuar dhe të verbër rruga e edukimit të tyre përfundon aty. Një numër i vogël prej tyre vazhdojnë shkollimin Universitar e tërë kjo për shkak të mungesës së kushteve adekuate për këtë kategori të shoqërisë.

Lavdërim Salihu ka problem me pamje të dobësuar, por pavarësisht kësaj ai e ka sfiduar vetën dhe shoqërinë dhe shumë shpejt do të jetë një jurist i diplomuar në nivelin master.

Rruga e tij e shkollimit nuk ka qenë aspak e lehtë.

“Në shkollimin fillor dhe të mesëm kam pasur mbështetje nga shoqëria dhe mësimdhënësit por aspekti institucional ka mungu, gjithashtu edhe në fakultet është gjendje e njejtë. Unë kërkojë që të paktën literatura të jetë në formën akustike dhe digjital,” thotë ai për RTK-në.

Përveç shkollimit personat e verbër diskriminohen nga vetë shteti edhe në punësimin e tyre. Betim Bregovina është me aftësi të kufizuara në pamje, ai edhe pse ka të përfunduar studimet themelore dhe master në dy drejtime: në Psikologji e Përgjithshme dhe në Pedagogji, ai vazhdon të aplikojë për punë dhe asnjëherë nuk ka arritur të sigurojë një vend pune, gjë të cilët e cilëson diskriminuese.

“Çka po i bien kjo unë veç kam marrë prej shoqërisë dhe nuk kam dhënë asgjë, pse?!, - Se nuk më ka dhënë mundësi vetë shoqëria për më ia kthyer investimin që e ka bërë në mua…” deklaron ai.

Punësimi, personave me aftësi të kufizuara iu garantohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Madje që tu sigurohet punësim, personave me aftësi të kufizuara në sektorin publik dhe privat i obligon edhe Ligji për “Aftësim,Riaftësim Profesional dhe Punësim për Personat me Aftësi të Kufizuara” i cili është miratuar në vitin 2009.

Në nenin 12 të këtij ligji në pikën 1 të tij thuhet:

“Organet e administratës shtetërore, punëdhënësit e sektorit privat dhe publik si dhe organizatat joqeveritare obligohen që, me kushtet e përshtatshme të punës ti punësojnë personat me aftësi të kufizuara...”

Në po këtë nen në pikën 2 është specifikuar:

“…Çdo punëdhënës është i obliguar të punësoj një person me aftësi të kufizuara në çdo 50 punëtor….”

Por tani 13 vite ky ligj nuk gjen zbatim në praktikë. Këtë nenë i vetmi institucion që e plotëson është Kuvendi i Kosovës.

 


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa

MË SHUME NGA Lajme