Kurti e përmbyll vizitën në Michigan me takimet në qendrat fetare
Foto/ Nga zyra e kryeministrit
Lajme

Kurti e përmbyll vizitën në Michigan me takimet në qendrat fetare

A.Bela / RTKlive

(E plotësuar) Vizitën në shtetin Michigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e ka përmbyllur me një tubim të madh me komunitetin shqiptar, të organizuar nga Kisha Katolike Shqiptare Shën Pali.

Në Michigan jeton një nga diasporat më të mëdha shqiptare në botë, që numëron rreth 50 mijë shqiptarë.

Kryeministri Kurti ka shprehur kënaqësinë për takimin dhe i ka falënderuar ata për kontributin e madh që kanë dhënë për Kosovën dhe kombin shqiptar, edhe në luftë edhe në paqe, edhe para shpalljes së pavarësisë edhe pas shpalljes së saj.

Në tubim, drejtuesit e Kishës i kanë ndarë kryeministrit Kurti një mirënjohje për kontributin në çështjen kombëtare dhe avancimin e imazhit të shqiptarëve në botën demokratike.

Kryeministri Kurti ka pasur edhe një darkë të përbashkët me tre prijësit fetarë të shqiptarëve që jetojnë në Michigan: Imam Shuajb Gërguri i Qendrës Islamike Shqiptare, Dervish Eliton Pashaj i Teqes së Parë Bektashiane në Amerikë dhe Dom Fred Kalaj dhe Dom Ndue Gjergji nga Kisha Katolike Shqiptare e Shën Palit.

Sfidat dhe problemet e mërgatës, por edhe të Kosovës kanë qenë temë e bisedës. "Jam kthyer këtu (në Detroit) pas nëntë vitesh, nuk do të kalojnë edhe nëntë të tjera për të ardhur sërish", ka thënë kryeministri Kurti. "Nga ana jonë si qeveri ne kemi ambasadën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa juve u takon të mbeteni të bashkuar", ka porositur ai prijësit e tri konfesioneve fetare.

Gjatë ditës kryeministri Kurti e ka vizituar Kishën Katolike Shqiptare të Shën Palit, e ndërtuar nga komuniteti shqiptar në vitin 1981, në Rochester Hills. Kjo kishë u shërben rreth 2,000 familjeve shqiptare që jetojnë në Detroit e rrethinë. Në oborrin e saj ndodhen statuja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe statuja e humanistes shqiptare Nënë Tereza, të ndërtuara nga fondet e komunitetit.
 
Një ditë më herët kryeministri ka marrë pjesë në një tubim në Qendrën Islame Shqiptare. Kjo qendër e ndërtuar në Harper Woods në vitin 1963, i shërbente komunitetit të vjetër shqiptar të etabluar mirë që nga viti 1940, ndërsa tani u shërben emigrantëve të rinj myslimanë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe vendet e tjera të Ballkanit. Themelues i kësaj qendre ishte imami i parë Vehbi Ismail, i cili arriti në Detroit në vitin 1949 dhe themeloi Shoqatën e Shqiptaro-Amerikanëve Myslimanë. Në shenjë nderimi për vizitën, drejtuesit e Qendrës i kanë ndarë kryeministrit Kurti çmimin “Hoxhë Hasan Tahsini”.
Ora 19:30
 

Kurti takohet me drejtues të shoqatës së bizneseve `Automation Alley`

Në Detroit të Michigan, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti zhvilloi takim me shoqatën e bizneseve “Automation Alley”. Lidere në mesin e shoqatave të bizneseve për teknologji dhe prodhim, “Automation Alley” bën lidhjen ndërmjet industrisë, akademisë dhe qeverisë për të përshpejtuar inovacionin dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik të Michigan-it juglindor.

Aty kryeministri Kurti u takua me Drejtorin e Partneriteteve Strategjike Globale, Noel Nevshehir me të cilin diskutuan për Industrinë 4.0 apo siç njihet ndryshe, revolucionin e katërt industrial. Industria 4.0 fokusohet në ndërlidhjen, automatizimin, mësimin makinerik dhe shkëmbimin e të dhënave në kohë reale në industrinë e prodhimit.

"Kryeministri Kurti prezantoi para tyre mundësitë për investime në Kosovë dhe për potencialin në rritje të vendit tonë në Teknologjinë e Informacionit. Ai i ftoi për vizitë në Kosovë për të hulumtuar nga afër mundësitë që tregu i Kosovës ofron", thuhet në komunikatën e zyrës së kryeministrit.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa