Kurti takon senatorë, kongresistë dhe mërgatën
Foto: Zyra e kryeministrit
Lajme

Kurti takon senatorë, kongresistë dhe mërgatën

Valbona Thaçi/RTKLive

Në kuadër të vizitës zyrtare në Michigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka takuar senatorin Gary Peters dhe kongresistin Andy Levin.

Kurti me këtë rast shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për kontributin e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pavarësinë dhe shtet-ndërtimin e Kosovës.

Ai theksoi progresin e shënuar gjatë qeverisjes njëvjeçare, duke theksuar punën e institucioneve në avancimin e kauzës së dyfishtë të krijimit të vendeve të punës dhe drejtësisë, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Në takimin, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i qytetit Rochester Hills, Bryan Barnett, u bisedua edhe për kërcënimin që aleanca ushtarake Serbi-Rusi paraqet për paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kurti theksoi rreshtimin e Kosovës krahas vendeve perëndimore për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe gatishmërinë për të strehuar 5.000 refugjatë nga Ukraina, si dhe për të mirëpritur disa gazetarë ukrainas, thuhet tutje në njoftim.

Poashtu Kryeministri Kurti takoi profesionistët shqiptarë në Michigan, si pjesë e dialogut me mërgatën.

Sipas njoftimit nga zyra e kryeministrit, në kuadër të vizitës në Michigan, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si pjesë e dialogut me mërgatën, Kurti, ka takuar bashkatdhetarët që punojnë në këtë shtet.

Kurti vlerësoi kontributin e mërgatës sonë në shtetet e Bashkuara të Amerikës për çështjen e Kosovës, për ndihmën në financimin e sistemit shëndetësor dhe arsimor në vitet e '90-ta, pasuar me luftën çlirimtare të vitit 1999 dhe me përpjekjet për rindërtim të pasluftës.

 Duke vlerësuar rolin e mërgatës sonë, kryeministri ka theksuar se në programin qeverisës mërgata llogaritet si pjesë thelbësore e zhvillimit të qëndrueshëm të Republikës së Kosovës.

Tutje në njoftim thuhet se është biseduar për mundësitë dhe potencialin për zhvillim të partneritetit dhe thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe transferim të dijes dhe përvojës nga mërgata në Kosovë, gjë që synohet të arrihet nëpërmjet dialogut me mërgatën.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa