Debati në RTK Prime: Çfarë aktgjykimi mund të pritet nga Specialja?
Lajme

Debati në RTK Prime: Çfarë aktgjykimi mund të pritet nga Specialja?

Blerim Halimi / RTKlive

Aktgjykimi i nesërm i Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, do të jetë rasti i parë që do të vendoset nga ky mekanizëm i drejtësisë.

Sipas avokatit të licencuar në Dhomat e Specializuara, Taulant Hodaj, ky rast do të krijojë edhe praktikën e mëtejme të kësaj gjykate.

“Përkundër se Dhomat e Specializuara janë themeluar për pretendimet për krime të luftës, rasti i parë në të cilën merr vendim nuk është për krime të luftës, por është për vepra tjera penale. Nga ajo që kemi parë nga seancat dhe parashtresat publike, fokusi i mbrojtjes ka qenë në lirinë e shprehjes, duke konsideruar se të gjitha ato materiale e deklarime hyjnë në kategorinë e lirisë së shprehjes. Dhe besoj se kjo ka qenë një qasje e drejtë dhe më e mira që ka mundur të bëhet dhe besoj se edhe gjyqtarët do ta kenë parasysh këtë. Po ashtu në këtë proces gjyqësor avokatët mbrojtës kanë sjellë edhe ekspertë ndërkombëtar të cilët i kanë dhënë shpjegimet e caktuara se jo çdo gjë që është konfidenciale nuk mund të publikohet. Kur ka interes të përgjithshëm, interes nacional mund të bëhet publikimi edhe i këtyre informacioneve të cilat janë konfidenciale, por normal duke i respektuar rregullat e procedurës”, ka thënë Hodaj në “RTK Prime”.

Sipas tij kërkesa e prokurorisë është që të ketë dënim nga 3 vjet për secilin, por ai nuk pret që Gjykata të shkojë me dënim maksimal edhe nëse vendos për ndonjë masë ndëshkuese.

“Në qoftë se do të ketë vendim me dënim nuk pres që të ketë dënime maksimale ashtu siç ka kërkuar Prokuroria. Pra, edhe nëse do të ketë vendim me dënim pres që ato të jenë më të vogla”, ka shtuar Hodaj.

Ndërkaq, ish-kryetari i OVL të UÇK-së, Faik Fazliu mendon se Hysni Gucati e Nasim Haradinaj tashmë janë dënuar nga Prokuroria me mbajtjen e padrejtë në Hagë.

“Faktikisht Hysniu dhe Nasimi tashmë janë dënuar nga Prokuroria pasi janë mbajtur peng që po thuajse dy vite. Për mua qoftë edhe një orë apo një ditë i dënon Gjykata bie në lajthitje të Prokurorisë, e cila haptazi ka qenë një bashkëpunëtore e Prokurorisë së Serbisë. Shpresoj që së paku gjykatësit të mos bien në lajthitje të Prokurorisë, që nuk është asgjë më pak se sa një degë e Prokurorisë së Serbisë, e cila udhëhiqet nga njerëzit e Millosheviqit. Të gjitha burimet dhe informacionet tregojnë se Prokororia në Hagë është shërbyer me informata nga Serbia”, ka vlerësuar Fazliu.

Ndërkaq, ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti ka thënë se në aktgjykimin e nesërm gjithçka është e pritshme, pasi sipas saj Gjykata Speciale që nga themelimi më së paku prodhon drejtësi.

“Kjo gjykatë është një monstrum juridik e politik, i cili zanafillën e ka te raporti i Dick Martyt, ndërkohë që prej se ka filluar me arrestimet e para ne shohim një varg shkeljesh. Fatkeqësia më e madhe është se Kosova nuk është anëtare e organizatës e cila e ka prodhuar këtë gjykatë, pra e Këshillit të Evropës, vlerat themeltare të së cilës janë: Sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe demokracia. Ne, shohim shkelje drastike të drejtave të njeriut dhe për mendimin tim kjo gjykatë është një sistem krejtësisht paralel i drejtësisë, ku nuk ka kurrfarë ndërlidhje me sistemet e tona të drejtësisë“, është shprehur Dërguti.

Ndërkaq për gazetarin dhe njohësin e mirë të rrethanave të drejtësisë, Artan Behrami janë disa elemente që duhet të veçohen tek rasti i Hardinajt dhe Gucatit.

“Elementi i parë ka të bëjë me personalitetin e Haradinajt dhe Gucatit. Ata nuk e durojnë diskriminimin dhe padrejtësinë. Kur Nasimi dhe Hysniu kanë reaguar ndaj Gjykatës Speciale, në Kosovë 99 përqind e qytetarëve dhe krerëve politikë nuk kanë guxuar t’i përmendin as emrat e krerëve të UÇK-së e lëre më të dalin kundër kësaj gjykate. Pra ata i kanë disa merita pasi qysh në fillet e saj e kanë kuptuar se kjo gjykatë nuk sjellë drejtësi”, ka thënë Behrami.

Sipas tij elementi i dytë është se njerëzit që i kanë rrjedhë këto dokumente janë amnistuar. “Unë jam i bindur se Prokuroria e dinë kush janë ata por as që e kanë marrë mundin për t’i ndjekur ata që i kanë nxjerrë këto dokumente por ata që i kanë publikuar ato. Në mungesë të fakteve e argumenteve kanë krijuar mekanizma paralel për të frikësuar qytetarët, për t’i frikësuar komandantët dhe elitat politike në vend dhe për mendimin tim në vitin e parë janë kanë arritur deri diku këtij qëllimi”, ka shtuar ai.

Si element të tretë ai ka përmendur vonesat që është duke i krijuar Prokuroria në mënyrë artificiale.

“Kjo prokurori nuk investon për të sjellë drejtësi por investon për ta shtyrë sa më gjatë procesin”, ka nënvizuar Behrami.

Të rikujtojmë se Dhomat e Specializuara e kanë caktuar shpalljen e aktgjykimit ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt për ditën e mërkurë në orën 10:00. Seanca do të jetë publike dhe mund të ndiqet drejtpërdrejt në RTK.

    


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa