Çeku: Gjendja e muzeve në Kosovë vazhdon të jetë e rëndë
Foto: RTK
Kulturë

Çeku: Gjendja e muzeve në Kosovë vazhdon të jetë e rëndë

Ardiana Hajzeri/ Radio Kosova

Gjendja e muzeve në Kosovë vazhdon të jetë e rëndë dhe për këtë kërkohet përkrahje institucionale për përmirësimin e infrastrukturës. Kështu vlerësuan drejtues të institucioneve në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Muzeve.

Sot është Dita Ndërkombëtare e Muzeve, ditë kjo e cila po shënohet edhe në Kosovë. Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, në një përgjigje për Radio Kosovën tha se gjendja e muzeve në Kosovë vazhdon të jetë e rëndë dhe kjo si pasojë e menaxhimit të dobët të muzeve. Ai foli edhe për artefaktet kombëtare të cilat Serbia tash e 23 vjet po i mban padrejtësisht ndërkaq institucionet e vendit në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare janë duke bërë përpjekje për kthimin e tyre.

 “Muzetë e Kosovës vazhdojnë të jenë në gjendje jo të kënaqshme për vizitorët. Numri i vizitorëve është shumë i ulët, është jo i kënaqshëm. Menaxhimi i muzeve është një ndër pikat ku ne duhet të bëjmë shumë, për arsye se nuk kemi ekspertë të mjaftueshëm për menaxhimin e muzeve”, tha Çeku.

E, drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, në një përgjigje për Radio Kosovën tha se krahasuar me vitet e kaluara gjendja e Muzeut Kombëtar është përmirësuar dhe se numri i vizitorëve është në rritje e që kryesisht janë nxënës të shkollave.

“Asnjëherë nuk duhet të jemi të kënaqur me gjendjen që e kemi, gjithmonë duhet të pretendojmë për më shumë. Fatmirësisht tani e kemi gjendjen kur jemi të liruar nga pandemia dhe kemi filluar të kemi aktivitete të ndryshme, duke përfshirë edhe ekspozitat. Interesimi i qytetarëve tani është rritur, kemi vizitorë edhe të jashtëm dhe kryesisht pjesa më e madhe e tyre janë nxënës të shkollave të mesme të ulëta”, tha ai.

Ndërsa, Samir Hoxha, drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore  në Prizren, i tha Radio Kosovës se ky rajon ka nevojë për ri- funksionalizimin e disa muzeve.

 “Në rajonin e Prizrenit ka disa muze që vizitohen rregullisht. Por, ky rajon ka nevojë edhe për ri-funksionalizimin e disa muzeve”, shtoi Hoxha.

Për ndër të kësaj dite, Muzeu i Kosovës, në mbrëmje organizon ngjarjen “Return us Home” (Na ktheni në shtëpi), në kuadër të së cilës do të hapet ekspozita me fotografitë e artefakteve të Kosovës që mbahen në Serbi.

 


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa